Mbi sigurinë e shëndetit publik, u evidentua: nivel i ulët i shkallës së realizimit të analizave të barnave që kryhen krahasuar me mostrat e grumbulluara...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka treguar me detaje babëzinë që ndodh në zyrtar e shtetit. Një ditë më parë u publikua raporti vjetor i punës për vitin 2022, ku bëhej me dije se janë gjetur afro 800 milionë euro dëme në buxhet. Ndërkohë në raportin e siguruar nga “Pamfleti”, rezulton se ka pasur shkelje thuajse në të gjitha fushat, duke filluar nga tenderët, koncesionet, analizat e barnave, etj.
Sipas raportit, në auditimet e institucioneve qendrore, rezultuan parregullsi: Në lidhje me çështjet të cilat kanë kualifikuar opinionet mbi pasqyrat financiare veçojmë: pasqyrimin jo të drejtë të gjendjes së aktiveve, kapitalizim jo të saktë të vlerave të studim projektimeve; njohje e detyrimeve në momentin e likuidimit dhe jo në momentin e konstatimit; Shpenzime për vendimet gjyqësore të formës së prerë, të panjohura në kontabilitet sipas parimit të të drejtave dhe detyrimeve të konstatuara me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura; procese inventarizimit të pa finalizuara; etj.
KLSH shprehet se gjatë procesit të zbatimit të buxhetit u evidentuan raste të: planifikimit të dobët buxhetor, me pasojë rishikimin dhe ndryshimin e vazhdueshëm të tij nga plani fillestar i miratur; mungesës së monitorimit të zbatimit të buxhetit nëpërmjet raporteve periodike sipas parashikimeve ligjore, duke nisur që nga faza e përgatitjes dhe dorëzimit të kërkesave për programin buxhetor afatmesëm; mos implementimit të fazave të PBA-së përmes sistemit AFMIS; mungesës së fondeve për investime prioritare si psh.në qendrën rezidenciale, e cila rrezikon jetën e fëmijëve në rastet e rënies së zjarrit; shpenzime pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet, si rezultat i dëmshpërblimeve për punonjësit e larguar padrejtësisht, si dhe për studentë, të cilët kanë përfunduar studimet e financuara nga Fondi i Ekselencës dhe kanë detyrimin të kthehen e të punojnë në Shqipëri.
Mbi rregullshmërinë e procedurave të prokurimit publik u evidentuan raste ku: kërkesat e njësisë së prokurimit, në lidhje me stafin, licencat, certifikatat e kërkuara, nuk përkojnë me tipologjinë e objektit të kontratës që prokurohet; nuk janë kryer verifikimit për plotësimin e specifikimeve teknike nga operatori ekonomik (OE); përdorimi i skemës së marrëveshjeve të ndaluara nga operatorë ekonomikë të sigurimit të jo-jetës/jetës; janë përdorur procedura “negocim pa shpallje” pa plotësuar kushtet si të tilla; raste të përllogaritjes së fondit limit në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi; mungesë dokumentacioni verifikues për plotësimin e kritereve të përcaktuara në DST; mungesë e njohurive ligjore nga ana e personelit të angazhuar në prokurime publike; raste të mos ngritjes së strukturave të dedikuara për monitorimin e kontratave duke rrezikuar procesin e mbikëqyrjes dhe /apo marrjes në dorëzim të mallrave.
Gjatë zbatimit të punimeve rezultuan: diferenca në volume apo punime të llogaritura jo në përputhje me projektin e zbatuar; zëra punimesh të ekzekutuar pas përfundimit të kontratës ose jashtë afateve të saj; punime të ndërtimit të realizuara jo në përputhje me specifikimet teknike; punime të pakryera në kundërshtim me kontratën e sipërmarrjes së punimeve; tejkalim të afateve në zbatim të kontratës; etj.
Mbi dhënien me qera të tokës dhe procesin e shpronësimit, u evidentuan: sipërfaqe toke bujqësore me status juridik “të pa regjistruar” në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, duke rritur riskun e tjetërsimit të pronave bujqësore nga palë të treta; të ardhura të munguara nga qeraja e tokës bujqësore si pasojë e pasaktësive në llogaritjen e vlerës së qerasë apo mospagesës në kohë të qerasë së tokës; procese të ngadalta të monitorimit të kontratave të qerave; Sa i takon procesit të shpronësimit rezultoi se aktet nënligjore që rregullojnë këtë proces nuk janë të përditësuara.
Mbi sigurinë e shëndetit publik, u evidentua: nivel i ulët i shkallës së realizimit të analizave të barnave që kryhen krahasuar me mostrat e grumbulluara; mungesë e një programi vjetor për numrin e analizave të barnave mbështetur në të dhënat statistikore të viteve të kaluara dhe prognozat e vitit të ardhshëm; Sektori i inspektimit për të tre vitet objekt auditimit nuk ka planifikuar dhe zhvilluar asnjë inspektim të sistemit të sigurisë për pajisjet mjekësore në spitale, laboratore dhe klinika ku janë të instaluara këto pajisje.
Mbi kontratat e koncesioneve dhe partneritetit publik privat rezultoi se në disa raste, gjatë realizimit të procedurave konkuruese për dhënien me koncesion për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike hidrike, nuk është bërë më parë identifikimi i koncesionit të mundshëm të projektit, shoqëruar me analizën e rentabilitetit dhe përshtatshmërisë financiare/ Pamfleti