TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 4 Qershor 2026, 18:24

Nga Moska dhe Athina, te mediat ndërkombëtare: si po deformohet e vërteta për protestat

Shkruar nga Pamfleti
Nga Moska dhe Athina, te mediat ndërkombëtare: si po deformohet e
Foto nga artikujt

“Sazani grek”, “Ishulli i Epstein”/ Makina e dezinformimit hidhet në sulm kundër Shqipërisë

Protesta për Zvërnecin po del gradualisht jashtë kufijve të Shqipërisë, por jo gjithmonë e shoqëruar me faktet reale që e kanë nxitur atë. Ndërsa në terren pjesa më e madhe e thirrjeve kanë në fokus qeverinë, projektet turistike dhe klasën politike në tërësi, në rrjetet sociale ndërkombëtare po qarkullojnë narrativa që kanë pak lidhje me realitetin e protestës.

Një pjesë e madhe e mediave të huaja dhe profileve me ndikim në rrjetet sociale po e paraqesin protestën si një revoltë kundër Jared Kushner dhe familjes Trump. Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e historisë. Në terren, shumica e pankartave dhe thirrjeve nuk kanë qenë kundër Kushnerit, por kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi. Mes sloganeve më të dëgjuara kanë qenë “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, çka tregon qartë se protesta ka marrë një dimension shumë më të gjerë politik sesa ai që po shitet në mediat ndërkombëtare.

Paralelisht me këtë shtrembërim, llogari të lidhura me propagandën ruse kanë nisur të ndërtojnë narrativa që synojnë të krijojnë skandal ndërkombëtar. Në një prej postimeve më të shpërndara në platformën “X”, projekti në Sazan krahasohet me ishullin e Jeffrey Epstein.

Duhet t’i kushtoni rëndësi Shqipërisë për momentin. Çfarë po ndodh atje është që Kryeministri Edi Rama ka shitur zonat e mbrojtura natyrore dhe të vetmin ishull te Jared Kushner për të bërë këtë resort gjigant. Një ishull si të Jeffrey Epstein, këtë po bëjnë edhe në ishullin e Sazanit”, thuhet në postim.

Në një tjetër rast, narrativa bëhet edhe më ekstreme. “Në fund, dhëndri i Trumpit, Kushneri, dhe miku i tij Nat Rothschild e blenë ishullin grek të Sazanit për ta shndërruar në një ishull të ri Epstein?”, shkruhet në një postim tjetër që po qarkullon në rrjet.

Por sulmi nuk vjen vetëm nga llogaritë që promovojnë narrativa pro-ruse. Faqe nacionaliste greke kanë shkuar edhe më larg, duke tentuar ta paraqesin Zvërnecin dhe Sazanin si territore greke dhe duke ringjallur pretendime historike që nuk kanë asnjë lidhje me debatin aktual për projektet turistike.

Svërnica është një fshat grek jashtëzakonisht i bukur në rajonin e Vlorës. Qeveria shqiptare, së bashku me familjen Trump, po u sekuestron shtëpitë epirotëve të veriut në këtë zonë”, shkruan një prej këtyre faqeve.

Ndërsa në postime të tjera pretendohet se Sazani është “ishull grek” dhe madje përmenden histori për masakra të supozuara të vitit 1914, duke e kthyer një debat mjedisor dhe ekonomik në një çështje nacionaliste.

Në këtë valë dezinformimi është përfshirë edhe një pjesë e mediave të huaja, të cilat po raportojnë protestat thuajse ekskluzivisht si një revoltë kundër projektit të Jared Kushnerit, duke anashkaluar faktin se protestuesit po artikulojnë kritika shumë më të gjera ndaj qeverisë dhe opozitës. Në shumë raportime, kompleksohet qëllimisht debati për Zvërnecin me zhvillimet politike amerikane dhe figurën e Donald Trump, duke e bërë çështjen më tërheqëse për publikun ndërkombëtar, por më pak të saktë. Po ashtu, thuajse të gjitha e ngatërrojnë Zvërnecin me Sazanin. Protestat nuk bëhen për Sazanin,  sikundër shkruajnë meidat ndërkombëtare nga CNN, Reuters, Guardian, Al Jazeera, etj. 

Pra, një protestë reale, me pjesëmarrje qytetare dhe shqetësime konkrete, përdoret si platformë për të injektuar narrativa të reja, teori konspirative dhe pretendime historike që nuk kanë lidhje me faktet në terren.

Situata bëhet edhe më problematike nga përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale. Gjatë ditëve të fundit kanë qarkulluar imazhe, montazhe dhe materiale vizuale që synojnë të krijojnë perceptime të caktuara për protestën dhe projektet turistike. Fenomeni i fotografive dhe videove të krijuara ose manipuluara me AI po kthehet në një nga armët kryesore të dezinformimit modern, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes realitetit dhe propagandës.

Ajo që po ndodh me Zvërnecin dhe Sazanin është një shembull i qartë se si një debat i brendshëm shqiptar mund të shndërrohet shpejt në fushëbetejë informative ndërkombëtare. Nga teoritë për “ishullin e Epstein”, te pretendimet se Sazani është territor grek, e deri te shtrembërimi i vetë objektit të protestës, lufta për narrativën po zhvillohet me intensitet të plotë. Dhe në këtë luftë, faktet janë shpesh viktima e parë. /Pamfleti

protesta zverneci

2 Komente

  1. J
    Jeta

    O Shqiperis nënë! Permirëso kirrikiëat shkollore. Mësoni fëmijëve se si duhet kombi dhe atedheu! Bëjeni kete se shkuat ne shkatërrim! Si ka mundësi qe vijnë nga Greqia migrantet e bejne lëmsh shtetin e tyre? Si ka mundësi qe atje behen vasal, per lek e makina luksi jane ne gjendje te ndërrojnë emer e mbiemër, mohojnë rrënjët e tyre shqiptare, mohojnë printerit e gjyshërit e tyre. E mbani mend Zani Çaushin kriminelin, Greqia e nxori nga burgu dhe e shkarkroj ne Shqiperi ku u be komandant. Dilte Zani para medieve, "po luftojmë per te drejtat e Vorio Epirit" thoshte ai krimi el i damkosur, gjak i mallkuar!

    1. V
      Vlora

      Le te thone cte duan te huajt, pankartat dhe populli flasin carte, JANE KUNDER KASTET POLITIKE HAJDUTE dhe per kete duhet te cohen te gjithe, Vlore Korce , Fier Shkoder, Lezhe Gjirokaster Kukes te tere qe te behet ndryshimi. Nqs doni hajduta ne krye rrini e mos flisni me.

      Lini një Përgjigje