Vala e revoltës qytetare nuk njeh kufij!
Vala e revoltës qytetare nuk njeh më kufij! Ndërsa sheshi 'Skënderbej' në Tiranë po mbushet me protestues për të 22-tën herë radhazi, emigrantët shqiptarë në Genova të Italisë kanë organizuar paralelisht një tubim masiv, duke iu bashkuar thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e përhershëm të Sali Berishës nga politika.
Këtë të diel, qyteti italian u bë skena e një tjetër prove të forcës së diasporës shqiptare. Sheshet kryesore të Genovës janë mbushur me kuqezi, ndërsa qytetarët kanë improvizuar një podium nga ku po ngrihen zëra kundër qeverisë shqiptare dhe gjithë sistemit të vjetër politik.
"Rama e Berisha të ikin njëherë e përgjithmonë!" - bërtasin njëzëri protestuesit në Genova, duke u bërë jehonë kërkesës së qytetarëve në Tiranë. Por mesazhi i tyre shkon më tej: shqiptarët kudo që ndodhen nuk janë më të gatshëm të heshtin përballë të drejtave të tyre të shkelura, korrupsionit dhe mungesës së llogaridhënies që karakterizon të dy liderët që kanë dominuar skenën për dekada.
Pjesëmarrësit në protestën e Genovës theksuan se ka ardhur koha që shoqëria të reagojë, dhe se emigrantët, megjithëse jashtë kufijve, ndjejnë të njëjtin zhgënjim si vëllezërit e tyre në atdhe. Ata u shprehën se as Rama e as Berisha nuk përfaqësojnë më vullnetin e popullit, dhe se e ardhmja i takon rinisë dhe figurave të reja të ndershme.
Lini një Përgjigje