TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Maj 2025, 11:05

Një ditë para zgjedhjeve, SPAK e BKH zbarkojnë në Elbasan; çfarë informacionesh ka struktura speciale?

Shkruar nga Pamfleti

Një ditë para zgjedhjeve, SPAK e BKH zbarkojnë në Elbasan;

Prokurorë të SPAK dhe agjentë të BKH-së kanë zbarkuar sërish në Elbasan, një prej qarqeve që konsiderohet si zonë e nxehtë elektorale në zgjedhjet e 11 majit.

Paraditen e së shtunës, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, prokurorë dhe agjentë të strukturës së posaçme anti-korrupsion kanë zhvilluar një takim me Drejtuesin e Prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe Drejtorin e Policisë Vendore Fatmir Hoxha.

Fokusi i takimit ishin shqetësimet dhe denoncimet në rritje që lidhen me zgjedhjet të 11 majit.

Nga raportimet mësohet se në takim është diskutuar mbi masat konkrete që po merren për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo përpjekje për manipulim të votës, përfshirë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve, dhe përdorimin e burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.

Përfaqësuesit e SPAK dhe BKH kanë kërkuar angazhim maksimal nga institucionet lokale të drejtësisë dhe rendit, me qëllim rritjen e monitorimit në terren, sidomos në zonat e identifikuara si të ndjeshme. Ata kanë theksuar se çdo kallëzim apo indicie që lidhet me krime zgjedhore do të trajtohet me përparësi dhe në mënyrë të paanshme.

Gjithashtu është theksuar rëndësia e krijimit të një klime besimi për qytetarët që dëshirojnë të raportojnë parregullsi, duke garantuar mbrojtjen e tyre dhe trajtimin konfidencial të informacionit

Brenda pak ditësh, prokurorë të SPAK dhe agjentë të BKH-së kanë zhvilluar dy takime me drejtues të prokurorisë dhe policisë në Qarkun e Elbasanit, i cili prodhon 14 mandate deputetësh, ndërsa ka akuza të forta nga opozita për angazhimin e elementëve kriminalë në favorizimin e kandidatëve të PS-së.

Lini një Përgjigje