
Gazetarja Anila Hoxha ka treguar sekrete nga jeta e saj në terren. Prej dhjetëra vitesh ajo mbulon drejtësinë dhe te “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ajo ka folur pa doreza, nga profesioni i saj e deri te jeta personale.
-Gjatë karrierës tënde të gjatë, a ka ndodhur që të të vijë ndonjë mesazh kërcënues?
Ka ndodhur, nuk i kam bërë publike. Gjithmonë i kam deklaruar në redaksi, gjithmonë, në çfarëdolloj rasti. Mund të ketë qenë ndonjë rast në Facebook, në telefonin tim, mund të ketë qenë telefonatë e drejtpërdrejtë me numër të fshehtë, me numër të huaj… Kërcënime nga më të lehtat dhe mesazhe deri tek familja… I kam diskutuar me redaksinë, me drejtuesit e redaksisë dhe kemi vendosur se çfarë është bërë më pas. Por gjithmonë i kam bërë prezente.
-Je trembur?
Po, jam trembur. Mua më ka ndodhur që më kanë sulmuar edhe gjatë intervistimit të deklaratave publike. Nuk e them emrin, por një ish-gjyqtare, vetëm se kisha raportuar rregullisht, mënyra se si u qas ishte shumë agresive gjatë deklaratës për shtyp në adresën time. Nuk e mora asgjë personale. Nuk them që me këtë rast vesha këpucët dhe mendova se si do ndihesha unë në rast se do isha një person i akuzuar, por ndoshta këtu hyn eksperienca. Bëra pyetjet, qëndrova profesionalisht në posturën profesionale dhe bëra vetëm pyetjet. Shumë shtetas, kam vënë re funksionarë apo ish-funksionarë, në momentin që gazetari raporton, e ngatërrojnë me dashje dhe e përdorin si një moment intimidimi që gazetari të frenohet dhe të mos raportojë më për ta.
Lini një Përgjigje