TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shtator 2025, 13:57

Seanca në GJKKO, 4 nga 5 të pandehurit e dosjes Partizani kërkojnë pavlefshmëri të akteve; Gjokutaj sulmon Yuri Kim

Shkruar nga Pamfleti

Seanca në GJKKO, 4 nga 5 të pandehurit e dosjes Partizani

Ka nisur në GJKKO procesi për atë që njihet si afera ‘Partizani’ për të cilën SPAK ka marrë të pandehur ish-Kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, Xhimi Begeja e Andia Pustina, si dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi.

Avokatët e Berishës, Malltezit, Begejas dhe Pustinës kërkuan pavlefshmërinë e akteve të paraqitur nga SPAK, duke synuar kështu mbylljen e procesit. Ndërsa avokati i biznesmenit Bektashi do të paraqesë seancën e ardhshme pretendimet e tij. Kjo seancë do të mbahet më 29 shtator, ndërsa në seancën e zhvilluar sot nuk ishte i pranishëm ish-Kryeministri Berisha, ndërsa prezent ishte dhëndri i tij, Malltezi.

Seanca e sotme ka zgjatur për rreth 3 orë, ku në fillim të saj, kryetarja e trupit gjykues, Elsa Ulliri relatoi vendimin e gjyqtarit Erjon Çela që rrëzoi kërkesën për përjashtimin e trupës gjykuese të bërë nga avokatët e Sali Berishës.

Gjatë seancës, avokati Gjokutaj hodhi akuza se ish-ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën.

"Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese në ngritjen e akuzës duke u bazuar në opinione. Ambasadorja Kim ka ushtruar presion në SPAK për të ndjekur penalisht Berishën", tha avokati Genc Gjokutaj.

Të njëjtën kërkesë bëri dhe Klodjana Gjyzari, mbrojtësja tjetër e Berishës, duke kërkuar kërkoi pavlefshmëri të vendimeve të marra nga gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka.

“Mandati i Irena Gjokës duhet të kishte mbaruar që në vitin 2016. Irena Gjoka ka qenë e dënuar me vendim të formës së prerë. Jemi vënë në dijeni që dokumenti që ne kemi dorëzuar, është vlerësuar autentik nga Prokuroria e Përgjithshme. Kjo tregon që vendimi ndaj Irena Gjokës është i vërtetë”, tha Gjyzari, sipas gazetares së Report Tv.

Edhe të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina kërkuan pavlefshmëri të kateve, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi do t’i paraqesë kërkesat e tij në seancën e radhës, e cila do të mbahet më datë 29 shtator ora 11:00.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u zvarrit për 7 muaj në seancë paraprake. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Fatmir Bektashi është i akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë dërguar edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.

Lini një Përgjigje