
"The Telegraph": Lumi i ndotur kërcënon pikën e re të pushimeve në Evropë...
Në zemër të maleve shqiptare, një rrjedhë dikur e virgjër po shndërrohet në kantier ndërtimi.
Një segment lumi në zonat malore të Shqipërisë, dikur i pastër dhe i paprekur, sot i ngjan një kantieri ndërtimi.
Zona, e cila duhet të ishte një strehë për specie të rralla si vidrat, shqiponjat egjiptiane dhe rreqebulli i Ballkanit (në rrezik kritik zhdukjeje), është kthyer në një peizazh të shëmtuar dhe të mbuluar nga plastika, shkumë stiropori dhe copa betoni.

Shtretërit e zhavorrit të bardhë janë çarë nga makineri të rënda. Tuba gjigantë blu qendrojnë të stivosur anës rrugës, gati për t’u vendosur. Inxhinierët janë në procesin e devijimit të miliona litrave ujë nga malet drejt bregdetit të Adriatikut, ku një bum ndërtimesh po transformon një vend që deri së fundmi konsiderohej si “sekreti më i mirë i pushimeve në Europë”.
“Po marrin këtë ujë dhe po e çojnë drejt bregdetit për zhvillime turistike dhe resorte luksoze”, tha Kaltrina Hyka nga organizata mjedisore "EcoAlbania".
“E sheh që tani ka mbetur shumë pak ujë. Ne kemi 1 vit e gjysmë që jemi në gjykatë për këtë rast. Procesi vazhdon, por ndërkohë punimet nuk ndalen”, tha ai.

Shushica është një degë e lumit më të madh, Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, që rrjedh pa pengesa nga diga apo barriera të tjera, me ujëra të turbullta që mbartin dhe sendimentet.
Në vitin 2023, pas një lufte 10-vjeçare, dhe me shumë entuziazëm, Vjosa, 272 kilometra e gjatë, u shpall Parku i Parë Kombëtar i Lumit të Egër në Europë, me premtimin se do të mbrohej përjetësisht.
Qeveria shqiptare mori lëvdata për këtë vizion, dhe kryeministri Edi Rama e quajti këtë “një moment historik”.
Por dy vjet më vonë, situata në terren tregon një hendek të thellë mes premtimeve dhe realitetit.
Vjosa, larg të qenit një parajsë e paprekur ujore, është sot nën kërcënim serioz.
Shumë nga dëmet që po i shkaktohen lumit, i cili buron nga malet e Pindit në Greqi dhe derdhet në Adriatik, janë të lidhura drejtpërdrejt me bum-in turistik që ka përjetuar Shqipëria vitet e fundit.
“Në shkallë të gjerë, zhvillimi i pakontrolluar turistik kërcënon integritetin e parkut,” paralajmëroi në korrik një raport i një koalicioni organizatash mjedisore.
Një dekadë më parë, kur Shqipëria shihej ende si një “frontierë e fundit” për turizmin mesdhetar, numri i vizitorëve ishte rreth 3 milionë.
Në vitin 2023, vendi priti rreth 10 milionë turistë. Vitin e kaluar, me vetëm 2.4 milionë banorë, Shqipëria priti gati 12 milionë vizitorë.
Ndër të famshmit që kanë vizituar Shqipërinë përfshihen këngëtarja Dua Lipa, Ivanka Trump dhe Enrique Iglesias. Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër shqiptarë, ka tashmë shtetësinë shqiptare.

Kryeministri Rama, i rizgjedhur për mandatin e katërt në maj, ëndërron që deri në vitin 2030 vendi të presë deri në 30 milionë turistë.
Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, i tha "The Telegraph" se projekti për devijimin e ujit ka nisur që në vitin 2019, katër vjet para shpalljes së parkut kombëtar, dhe se “studime të pavarura” kanë konkluduar se nuk do të dëmtojnë biodiversitetin apo integritetin ekologjik të parkut.
Por devijimi i ujit nuk është kërcënimi i vetëm.

Nga lumi nxirret zhavorr për ndërtim, përfshirë ndërtimin e një aeroporti të ri madhor në grykëderdhjen e Vjosës, në një zonë ligatinore që është shtëpi për zogj të egër dhe çakej të artë.
Fluturimet testuese janë kryer tashmë, dhe aeroporti që do të presë edhe fluturime transatlantike pritet të hapet verën e ardhshme.
Ai është pjesë e një strategjie për zhvillimin e Shqipërisë së Jugut, që përfshin edhe projektin e Jared Kushner për ndërtimin e një mega-resorti prej 1.2 miliardë paundësh me 10,000 dhoma në një vijë bregdetare të paprekur.

Në segmente të tjera të lumit nxirret bitum për ndërtim rrugësh, dhe mbeturinat hidhen në grumbuj të mëdhenj buzë lumit.
Gjithashtu, ndotja nga rrjedhjet e naftës është bërë e zakonshme, qindra puse nafte në kodrat përreth nxjerrin naftë dhe e transportojnë në tuba të çarë drejt bunkereve të vjetër.
Në vend që të trajtojnë ujërat e ndotura me naftë, kompanitë thjesht i derdhin në përrenj, nga ku përfundojnë në Vjosë.

Në bregun e një përroi, biologu Leonard Sonten shkel me shkop një masë të trashë me naftë të zezë që po depërton ngadalë në ujë.
“Shiko këtë, jemi në zemër të parkut kombëtar. Nëse kjo do ndodhte në Yellowstone apo Serengeti, do të shpërthente skandali. Ky park po trajtohet si një kosh plehrash. E pabesueshme”, thotë menaxheri i projektit nga "EuroNatur", një organizatë gjermane për ruajtjen e natyrës.
Nga një grup pusesh të afërta, katrani ka rrjedhur drejt përroit. Era e naftës në bregun e Vjosës është mbërthyese, si të hysh në një servis makinash.
Mes kallamishteve gjenden një derë frigoriferi, disa tuba portokalli dhe paketa cigaresh të hedhura. Disa metra më tutje, një fermë e vogël ku kullosin lopë dhe dele të pista.
Një flamur shqiptar i zbehur nga dielli, shqiponja me dy koka në sfond të kuq, valëvitet mbi një shtyllë druri.
“Kompanitë mbledhin ujërat me naftë dhe i derdhin në përrenj. Ne e monitorojmë këtë prej 8 vitesh – ndodh vazhdimisht, dhe pikërisht në zemër të parkut kombëtar,” thotë Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i "EcoAlbania".

Organizata e tij luftoi për më shumë se një dekadë për shpalljen e parkut kombëtar dhe ia doli të ndalojë dhjetëra projekte për ndërtimin e digave. Qeveria ka premtuar se nuk do të ndërtojë kurrë diga.
Por ndërkohë që autoritetet mbyllin sytë ndaj aktiviteteve që dëmtojnë rëndë ekosistemin e Vjosës, beteja ka nisur sërish.
“Shqipëria nuk është më thesari i fshehur i Europës. Po ndërtohet gjithandej, po shkatërrohet mjedisi. Mendohet vetëm për sot, jo për nesër”, thotë Esmeralda Topi nga organizata fakt-verifikuese "Faktoje".
“Ata thonë se po e mbrojnë lumin, por shiko – mbrojtja ekziston vetëm në letër. Në terren është krejt ndryshe”, shtoi ajo.

Shqipëria reklamohet si një kënd i gjelbër i pazbuluar i Europës, me gjire të zbrazëta, plazhe të gjata, male të egra dhe lumenj të kristaltë. Por retorika nuk përputhet me realitetin.
Në një kthesë të lumit pranë Tepelenës, ndodhet një pamje edhe më tronditëse sesa derdhjet e naftës: një vendgrumbullim gjigant plehrash ndodhet vetëm pak metra larg nga ujërat e gjelbra të Vjosës. Korbat çukasin mbeturinat, plastika fluturon me erën. Nuk ka ndarje të mbeturinave, as riciklim, as sistem menaxhimi.
“Ose e djegin herë pas here për ta hequr, ose presin përmbytjet e dimrit që ta çojnë plehrat në lumë. Si në Afrikë është”, thotë Nika, fitues i një çmimi prestigjioz për betejën e tij për Vjosën. “Kjo është vetëm një nga shumë venddepozitime përgjatë lumit”, shtoi Nika.

Absurdja është se autoritetet po ndërtojnë një qendër të re për Parkun Kombëtar pikërisht pranë këtij vendgrumbullimi. Aktivistët shpresojnë se turpi i kësaj afërsie do t’i detyrojë autoritetet të veprojnë, por aktualisht nuk ka asnjë plan për pastrim apo rehabilitim të zonës.
Qeveria thotë se të gjitha këto aktivitete të dëmshme, devijimi i ujit, nxjerrja e zhavorrit, ndotja nga nafta, do të ndërpriten gradualisht në 10-15 vitet e ardhshme.
Ministrja Kumbaro thotë se shumë nga këto probleme e kanë origjinën në periudhën komuniste dhe vitet e tranzicionit demokratik.
“Aktivitetet janë të vjetra, por ndikimi i tyre mjedisor mbetet”, tha ajo, duke theksuar se qeveria po punon për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe trajtimit të ujërave të ndotura përgjatë Vjosës.

Përmbushja e standardeve të një parku kombëtar është “një proces kompleks dhe afatgjatë”, që kërkon “kohë, ndërtim kapacitetesh, investime në infrastrukturë dhe bashkëpunim me komunitetet lokale”.
Por për ambientalistët, a ishte shpallja e parkut më 2023 thjesht një fitore bosh?
“Po dhe jo. Ia dolëm të ndalojmë ndërtimin e digave dhe projekteve hidroenergjetike – një sukses i madh. Por mbetet shumë punë për të bërë”, thotë Olsi Nika.
“Ne kemi një thesar, një lumë të egër që rrjedh lirshëm, një nga të fundit në Europë, dhe ai po trajtohet si vendgrumbullim plehrash. Duhet të ushtrojmë presion ndaj qeverisë shqiptare që ta pastrojë këtë rrëmujë. Kemi shpresë, por nuk do të jetë një betejë e lehtë”, tha ai. /Përshtati "Pamfleti" nga "The Telgraph"
Lini një Përgjigje