Prej më shumë se 90 minutash, nën thirrjet “Parlamenti i krimit”, me qindra qytetarë po zhvillojnë një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, atje ku po zhvillohet edhe seanca plenare.
Protesta është në vijim të atij që njihet tashmë si “revolucioni flamingo” që nisi prej 1 muaji dhe çdo pasdite mijëra qytetarë, kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Revolta qytetare i drejtohet të gjithë klasës politike në vend që në 35 vjet ka mbajtur peng zhvillimin dhe është pasuruar duke grabitur pronat publike, por jo vetëm.
“Parlamenti në kosh”, është një tjetër thirrje që protestuesit hedhin gjatë protestës, ndërsa një pjesë e qytetarëve ndodhen në hyrjen e Kuvendit nga ana e rrugës së Elbasanit, ndërsa të tjerë qëndrojnë në hyrjen nga zona e Kalasë.
Protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve, ndërsa deputetëve i është kërkuar të dorëzojnë mandatet.
Në dallim nga protestat që zhvillohen te Kryeministria, në protestën e sotme para Kuvendit, policia kishte marrë masa, duke krijuar një rrip sigurie, teksa dhjetra efektivë ndodhen në gadishmëri.


Lini një Përgjigje