
Në GJKKO po mbahet seanca në ngarkim të ish-Kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenit Fatmir Bektashi, si dhe Andia Pustina e Xhimi Begeja, që janë të pandehur nga SPAK me akuza të ndryshme lidhur me dosjen Partizani.
Në fillim të seancës, prokurorët e SPAK paraqitën kundërshtimet e tyre lidhur me disa nga kërkesat e të pandehurve për prova.
Sa i takon kërkesës së avokatëve mbrojtës të ish-Kryeministrit Sali Berisha, që në listën e dëshmitarëve të thirret për të dëshmuar Kryeministri Edi Rama, prokurorët u shprehën se kjo do të vendoset nga Gjykata, duke mos paraqitur kështu kundërshti mbi këtë kërkesë, por duke e konsideruar si një çështje për të cilën duhet të vendosë Gjykata.
Prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai, është shprehur se për kërkesat e marrjes në pyetje të kryeministrit Edi Rama, Silva Bellos dhe Ermir Hasës se “duhet të citohet se për çfarë do të thirren, por vendimi i mbetet Gjykatës’.
Për kërkesën që të thirret si dëshmitar oficeri i Policisë Gjyqësore Besmir Karanxha për të cilin mbrojtja e Berishës ka quajtur “aktivist politik të PS-së”, SPAK është shprehur që të mos pranohet. “Emërimin e ka marrë në vitin 2023”, thotë SPAK.
Gjithashtu prokurorja e SPAK ka kërkuar që të mos pranohet kërkesa për thirrjen e Irena Gjokës si dëshmitare, duke sqaruar se ajo nuk ka lidhje me objekt akuzat.
Lidhur me kërkesën e paraqitur nga avokati i Andia Pustinës, që kërkonte pushimin e akuzës ndaj saj, prokurorët e SPAK deklaruan se nuk ka asnjë arsye sepse duhet të pushojë akuza.
Sa i përket kërkesave për prova nga Fatmir Bektashi dhe shoqërisë “Kontakt”, SPAK ka shprehur dakordësi për thirrjen e dëshmitarëve. Për ekspertimet e kërkuara nga kjo shoqëri, SPAK kërkoi saktësimin e tyre dhe theksoi se ekspertiza kontabël do të merret mbi bazën e provës së dorëzuar nga Prokuroria, me të drejtën e të pandehurit për ta rikryer atë nëse nuk pajtohet.
Prokuroria kërkoi gjithashtu që kërkesat për papërdorueshmëri apo paligjshmëri të provave të rrëzohen dhe të mos merren parasysh.
Dosja ‘Partizani’ kaloi për gjykim më 19 maj 2025. SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë ndaj ish-Kryeministrit, Sali Berisha. Dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me ccështjet financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash.
Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Lini një Përgjigje