Aktualitet22 Maj 2024, 17:14

Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren në Himarë, Gjykata dënon me 18 vite burg ish-efektivin Arjan Tase

Shkruar nga Pamfleti

Përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren në Himarë,

E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Gjykata e Vlorës ka dënuar me 18 vite burg Arjan Tasen, policin që përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj.

Ish-zyrtari i Policisë së Shtetit u gjykua për vrasje me dashje në mënyrë indirekte, teksa me skafin e tij doli në breg për të sjellë familjen dhe i mori jetën një të miture e cila kishte ardhur nga Anglia të bënte pushime në jug të vendit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht 2022 në Plazhin e Potamit në Himarë, ku 7- vjeçarja Jonada Avdia, u godit për vdekje nga një gomone me drejtues policin Arjan Tase, teksa ajo po lahej në breg të detit.

E mitura u përplas fillimisht nga pjesa ballore e gomones dhe më pas trupi i saj është prerë nga helikat duke ndërruar jetë në vend.

Fëmija, me origjinë nga Tropoja jetonte jashtë shtetit me familjen e saj në Angli, por ishte kthyer në atdhe për pushime.

Ngjarja solli reagime nga gjithë opinion publik, ndërsa protesta u organizuan për disa ditë me radhë. Një tragjedi e tillë solli edhe reagimin e policisë e cila bllokoi të gjitha mjetet lundruese pothuajse në të gjithë vijën bregdetare dhe iu nënshtruan një kontrolli, ndërsa edhe këtë vit kontrollet dhe ndëshkimet për drejtuesit e mjeteve lundruese që shkelin rregullat janë shtuar.

Ndërkohë, më 11 korrik Prokuroria e Vlorës ka mbyllur hetimet dhe mori zyrtarisht të pandehur ish efektivin dhe 8 policë të tjerë, që tashmë do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me dashje në mënyrë indirekte. Për këtë vepër penale, parashikohet dënim maksimal deri në 15 vite burg. Sipas Prokurorisë, Tase nuk ka respektuar zonën e kufizuar për pushuesit, e cila nuk duhet të kalohet nga mjetet lundruese, dhe ka bërë manovër të gabuar gjatë drejtimit të skafit, duke përplasur për vdekje 7-vjeçaren në plazh, disa metra larg bregut.

Tase ka qenë ish-shef i Policisë në Himarë, ndërsa kur ndodhi ngjarja ai mbante postin e shefit të policisë në Elbasan, por Gledis Nano, asokohe drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, e përjashtoi përfundimisht nga policia.

Për këtë ngjarje është shkarkuar i gjithë zinxhiri drejtues i Policisë Kufitare të Vlorës, si edhe inspektorët përgjegjës.

Ndërkohë, në seancën gjyqësore më 5 gusht të 2022, Arjan Tase është shfaqur i tronditur pas ngjarjes së rëndë në Himarë, ku përplasi për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia. Ai ka treguar me detaje se si ndodhi aksidenti.

“Nuk do të doja kurrësesi të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Nuk dua të mbrohen dhe nuk do pretendoj asnjë rrethanë lehtësuese, ka thënë Tase. Dua t’ju kërkoj ndjesë edhe të gjithë kolegëve të policisë së shtetit të prekur nga kjo situatë. Nuk duhet të ndodhte kurrësesi,  por fati im i keq. Në skaf kishte hipur vetëm nëna ime dhe djali im i vogël. Në det ishte gruaja me djalin e madh dhe motra më dy fëmijët. Nëse skafi do ishte rrotulluar në anën e kundërt do të kisha vrarë familjen time. Nuk doja të ndodhte. Pashë që kishte dallgë, po qëndroja pak larg njerëzve”, tha Tase.

18 vite burg arjan tase gjykata himare 7 vjecare