Autoritetet rendisin shifra dhe operacione, ndërsa suksesi matet me arrestime, sekuestrime dhe 197 shoferë të futur në qeli
Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e punës për muajin janar 2026, duke e paraqitur atë si një muaj intensiv operacionesh dhe goditjesh ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë këtij muaji janë finalizuar 107 operacione policore dhe janë arrestuar 498 persona, shifër që autoritetet e cilësojnë si tregues të rritjes së eficiencës.
Në bashkëpunim me EUROPOL, INTERPOL dhe struktura partnere ndërkombëtare, Policia raporton zhvillimin e 17 operacioneve të përbashkëta për goditjen e rrjeteve kriminale dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Rezultati, sipas bilancit, është përkthyer në sekuestrime të konsiderueshme droge dhe pasurish.
Droga, armë dhe pasuri të sekuestruara
Gjatë janarit, Policia njofton se ka sekuestruar rreth 186 kg kanabis, 3 kg kokainë, sasi heroine dhe ekstazi, si dhe mijëra bimë dhe fara kanabisi, bashkë me pajisje për kultivim në ambiente të mbyllura. Paralelisht, janë konfiskuar 41 armë zjarri, granata dhe municion luftarak.
Në listën e “sukseseve” përfshihet edhe sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 20 milionë lekë, përfshirë automjete, prona dhe llogari bankare që, sipas Policisë, dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet kriminale. Po ashtu, janë zbuluar ambiente për kultivim droge, lojëra fati të paligjshme, raste kontrabande dhe trafik armësh e narkotikësh.
Parandalime dhe tentativa të dështuara
Autoritetet bëjnë me dije se janë parandaluar disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë konflikte me armë zjarri dhe tentativa për trafik droge drejt Greqisë dhe Italisë. Në pikat kufitare janë evidentuar dhjetëra raste të kalimeve të paligjshme, përdorimit të dokumenteve false dhe trafikimit.
Krimi rrugor dhe paraburgimet
Një vend të veçantë në bilanc zë edhe Policia Rrugore, e cila gjatë janarit ka arrestuar 197 drejtues mjetesh, ka pezulluar 216 leje drejtimi dhe ka vendosur mbi 93 mijë masa administrative. Këto shifra paraqiten si tregues i “zero tolerancës”, por në praktikë kanë sjellë edhe rritje të ndjeshme të paraburgimeve, ku përfundojnë gjithnjë e më shumë shoferë për shkelje rrugore.
Kritikët vënë në dukje se paraburgimi po përdoret si zgjidhje e shpejtë dhe statistikë për t’u reklamuar, ndërsa mungon analiza se sa nga këto arrestime përkthehen në dënime përfundimtare apo në ulje reale të kriminalitetit.
Bilanc me shifra, jo me rezultate
Ndërsa Policia e Shtetit konfirmon se kontrollet dhe hetimet intensive do të vijojnë, bilanci i janarit ngre sërish të njëjtin diskutim: a matet siguria me numrin e të arrestuarve dhe të paraburgosurve, apo me rezultate afatgjata në uljen e krimit?
Për momentin, bilanci mbetet një listë shifrash dhe operacionesh, ku suksesi duket se matet më shumë me sa qeli janë mbushur, sesa me sa probleme janë zgjidhur realisht.
Lini një Përgjigje