TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Shkurt 2026, 11:40

Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Fevziu: Dritë jeshile për SPAK, tani mund të pezullojë çdo ministër dhe vetë Ramën

Shkruar nga Pamfleti
Vendimi i Kushtetueses për Ballukun, Fevziu: Dritë jeshile për
Blendi Fevziu

Gazetari Blendi Fevziu ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi padinë e kryeministrit Edi Rama lidhur me pezullimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke theksuar se thelbi i çështjes nuk lidhej vetëm me këtë rast konkret.

Sipas Fevziut, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka një shtrirje më të gjerë sesa interpretimi fillestar që u përqendrua te Balluku. Ai vlerëson se gjykata ka sanksionuar të drejtën kushtetuese të SPAK për t’i kërkuar Gjykatës së Posaçme pezullimin nga detyra të ministrave që janë nën hetim, ndërsa vendimmarrja përfundimtare i takon gjykatës.

Fevziu thekson se kjo logjikë nuk përjashton as kreun e qeverisë. Sipas tij, nga ky moment, edhe kryeministri mund t’i nënshtrohet një mase pezullimi, nëse SPAK paraqet prova dhe gjykata i çmon ato si të mjaftueshme.

“Në orët e para të mëngjesit u njoha me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në çështjen që përballte qeverinë shqiptare me SPAK-un, për rastin Balluku. E mora vesh me vonesë sepse kam ndryshim kohësh, jam në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit në këtë moment. Pjesa më e madhe e lajmeve që lexova, sidomos ato që lexova në rrjetet sociale, krijojnë një lloj konfuzioni sepse flasim për pezullim të Ballukut. Në fakt çështja nuk bënte fjalë, ose nuk kishte në qendër të saj pezullimin e Ballukut. Natyrisht që ky vendim i Gjykatës Kushtetuese lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, por problemi kryesor është që që nga ky moment me vendim të Gjykatës Kushtetuese, pra ka të drejtë kushtetuese SPAK-u dhe Gjykata e Posaçme, pra SPAK-u t’i kërkojë dhe Gjykata e Posaçme të vendosë, pezullimin e çdo ministri që është nën hetim dhe ka fakte të mjaftueshme që ka kryer vepra korrupsioni apo vepra të tjera penale. Natyrisht që është gjykata që e vlerëson këtë, por që nga ky moment çdo ministër i qeverisë shqiptare, përfshirë edhe kryeministrin, mund të pezullohen nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK-ut mbi bazën e fakteve që SPAK do të dërgojë. Nuk është një pezullim i Ballukut, por është një dritë jeshile për të pezulluar çdo ministër të qeverisë shqiptare duke përfshirë edhe kryeministrin me vendim të Gjykatës së Posaçme.”, tha Fevziu.

 

kushtetuesja rrëzoi ankimimin e ramës

Lini një Përgjigje