Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, gjatë raportimit të veprimtarisë së institucionit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deklaroi se të dhënat tregojnë një rritje të hetimeve për veprat penale të pastrimit të parave dhe korrupsionit.
Çela bëri të ditur se, që nga viti 2020, Prokuroria ka ndërmarrë një sërë nismash për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë ngritjen e strukturave të posaçme dhe nënshkrimin e memorandumeve me institucione si Doganat, Tatimet, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Sipas tij, këto masa kanë dhënë rezultate konkrete, ndërsa theksoi se sistemi i drejtësisë ka arritur të shmangë kolapsin. Ai veçoi edhe ekzekutimin e letërporosive si një tregues të rëndësishëm të performancës së prokurorive.
“Shifrat që kemi paraqitur tregojnë rritje të hetimeve për pastrimin e parave dhe korrupsionin.
Që nga viti 2020 kemi nxjerrë një udhëzim për ngritjen e strukturave të posaçme, po ashtu kemi memorandum edhe me Doganat, Tatimet, Policinë e Shtetit, AMF.
Shifrat e përmirësuara janë fryt i këttyre nismave. Arritëm të shpëtojmë sistemin nga kolapsi, ekzekutimi i letërporosive është indikator i rëndësishëm. Prokuroritë veprojnë me 60% të kapaciteteve dhe arrijnë të shqyrtojnë deri në 40% të letërporosive. Janë 22 mijë procedime penale, ajo që vlerësojmë është se plotësimi me numrin e magjistratëve do të rrisë kapacitetin”, tha ai.
Prokurori i Përgjithshëm bëri të ditur gjithashtu se numri i çështjeve të mosfilluara mbetet i lartë, duke arritur në rreth 17 mijë, ndërsa nënvizoi nevojën për shtimin e burimeve njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës së institucionit.
“Numri i çështjeve të mosfilluara është i madh, rreth 17 mijë çështje. Janë shtuar burimet njerëzore për t’ju ardhur në ndihmë prokurorëve, Numri i prokurorëve duhet të jetë më i lartë. Çështja e dytë është infrastruktura, sepse s’kemi ku të vendosim prokurorët. Kemi bërë një projekt, por nuk është realizuar. Na është premtuar një godinë deri në 2030”, tha ai.
Duke u ndalur te pavarësia e prokurorëve, Çela e cilësoi atë si një element thelbësor për funksionimin e sistemit të drejtësisë, por shprehu shqetësimin për mungesën e një mekanizmi efikas kontrolli.
“Sipas vlerësimit tonë, mungon një mekanizëm efikas. Dy mekanizmat janë vlerësimi i prokurorëve, që bëhet çdo pesë vite, dhe inspektimi. Mekanizmi që do të rriste efikasitetin është inspektimi, jo si dikur, por duhet një fuqi inspektuese për çështjet që lidhen me Kuvendin”, tha Olsian Çela.
Lini një Përgjigje