TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Qershor 2026, 18:20

Protesta e katërt për Zvërnecin/ Policia gardh metalik në bulevard, bllokohet marshimi te Kryeministria

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e katërt për Zvërnecin/ Policia gardh metalik në
Pamje nga terreni

Qytetarët rikthehen në shesh për të kundërshtuar investimin në Zvërnec, ndërsa policia ka vendosur barriera metalike në zonën e Urës së Lanës, për shkak të ndeshjes Shqipëri-Izrael...

Për të katërtën ditë me radhë, qindra qytetarë dhe aktivistë janë mbledhur në Tiranë për të protestuar kundër projektit turistik që parashikohet të ndërtohet në Zvërnec.

Tubimi ka nisur në Sheshin Skënderbej, ku protestuesit janë grumbulluar me pankarta dhe thirrje kundër projektit, për të vijuar më pas marshimin drejt Kryeministrisë. Organizatorët raportojnë për pjesëmarrje të lartë, ndërsa kundërshtimi ndaj investimit po vazhdon të mbajë të mobilizuar qytetarë nga grupe të ndryshme shoqërore.

Me pankarta ku lexohen mesazhe si “Zvërneci nuk preket”, “Anulo projektin” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”, protestuesit kërkojnë ndalimin e investimit që sipas qeverisë kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove. Sipas tyre, kundërshtimi nuk lidhet me investimet apo zhvillimin ekonomik, por me mbrojtjen e një prej zonave më të rëndësishme natyrore në vend.

Në protestë janë parë aktivistë mjedisorë, të rinj, familjarë dhe qytetarë të moshave të ndryshme. Nuk kanë munguar as pankartat me mesazhe kritike ndaj klasës politike, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë shprehur mosbesim ndaj institucioneve që po mbështesin projektin.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, këtë të martë policia ka vendosur një gardh metalik në zonën e Urës së Lanës, duke bllokuar hyrjen kryesore drejt Kryeministrisë. Burime zyrtare e lidhin masën me masat e sigurisë të marra për zhvillimin e ndeshjes miqësore Shqipëri-Izrael, e cila luhet mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Kjo zonë është zonë sigurie për ndeshjen Shqipëri-Izrael. Prandaj është marrë kjo masë. Janë masa sigurie që merren në çdo ndeshje dhe nuk mundtë bëjmë ndryshime sot”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita.

Megjithatë, vendosja e barrierave ka tërhequr vëmendjen e protestuesve, pasi kufizon aksesin në zonën përpara godinës së Kryeministrisë, destinacioni i zakonshëm i marshimit. Situata pritet të testohet në momentin kur protestuesit të mbërrijnë pranë perimetrit të sigurisë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e tensioneve nëse ata kërkojnë të afrohen pranë institucionit.

Mobilizimi i sotëm vjen pas protestave të njëpasnjëshme kundër projektit në Zvërnec. Debati u intensifikua pas ngjarjeve të fundjavës në zonën bregdetare, ku pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private, pamje që më pas u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka vijuar t'u bëjë thirrje kundërshtarëve të projektit që të pranojnë dialogun e propozuar nga qeveria. Kreu i qeverisë ka kërkuar që protestuesit të përzgjedhin deri në 20 përfaqësues për një takim publik, ku sipas tij mund të diskutohen të gjitha shqetësimet që lidhen me investimin, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit.

Ftesa për dialog ka sjellë reagime të ndryshme mes protestuesve, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se kundërshtimi ndaj projektit do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Nga ana tjetër, qeveria vijon ta mbrojë investimin, duke e konsideruar atë si një nga projektet më të mëdha turistike të planifikuara ndonjëherë në Shqipëri, me ndikim të rëndësishëm në ekonomi, punësim dhe zhvillimin e turizmit.

protesta gardh metalik

Lini një Përgjigje