
Drejtuesi i “Unionit të Gazetarëve”, Aleksandër Çipa duke folur për zgjedhjet e 9 nëntorit, në 5 bashki të vendit, deklaroi se rezultati 5-0 në favor të PS-së ishte i pritshëm.
Në një intervistë për emsionin “TëPashoq” në kanalin në Youtube të “Pamfleti”-t, Çipa tha vendimi i opozitës që të konkuronte me kandidatë të pavarur, por të miratuar prej saj vulosi rezultatin. Sipas tij, një faktor tjetër që bëri që këto zgjedhje të mos kishin rëndësinë e duhur, ishte vendimi i Kushtetueses për anulimin e zgjedhjeve në Tiranë.
Pjesë nga intervista:
-E nisim nga zgjedhjet e 9 nëntorit që kaluan pa shumë bujë, një ditë e zymtë me shi. Opozita as që e diskutoi fare, tek e fundit thuajse as nuk mori pjesë. Po një rezultat i pritshëm, po ajo që surprizoi për keq në këtë rast do të thoja unë është numri shumë i ulët i i votuesve, sidomos Vlora në shifra dramatike. Si e lexuat ju të dielën?
Çipa: Po s'kish si ndodhte ndryshe në kushtet kur në procesin e fushatës së ngushtë kohore, sepse jo më shumë se një javë fushatë u vu në dispozicion, mungoi ajo që quhet gara ose thënë ndryshe, konkurrenca midis dy kaheve kryesore të politikës. Opozita zgjodhi që të konkuronte me të pavarur të miratuar prej saj. Dhe shumica politike, e cila mbart dhe trashëgon një strukturë elektorale të cilën e kemi të njohur tashmë si deterministe të terrenit të zgjedhor, na la të kuptojë që paraprakisht rezultati ishte i lexueshëm. Pra nuk kishte një pritshmëri të re, një sfidë dhe e dyta, në kushtet kur u përjashtua konkurrenca për njësinë më të diskutueshme që ishte kryeqyteti i vendit, Tirana, detyrimisht pesë njësitë e tjera administrative nuk kanë një peshë specifike, le të themi elektorale për t'u ngritur në nivelin e një kazusi, e një kampioni për të lexuar qoftë të sotmen elektorale, qoftë edhe progresionin elektoral të vendit.
Kështu që në kushtet kur mungoi kjo konkurrencë, në kushtet kur opozita zgjodhi protagonistë që nuk i përkasin vathës së saj politike, në kushtet kur opozita vetë nuk dëshmoi një seriozitet për t'u ngrytur në lartësinë e detyrës dhe aq më tepër për të bërë një diferencë me procesin e 11 majit dhe në kushtet kur vetë artikulantët kryesorë të opozitës u shmangën protagonistes së saj, u shmangën nga ky konkurim dhe shtoj edhe arsyen e fundme që nga pesha nuk është e fundme, zgjedhjet e, le të themi 9 nëntorit nuk ishin një mandat, ishin thjesht një konkurrencë e pjesshme për një hise të cunguar të një mandati të teprueshëm në mandatet e qeverisjes vendore.
Lini një Përgjigje