Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” vijon i mbushur plot edhe sot, në ditën e 23-të të protestës masive mbarëpopullore kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.
Gjatë fjalës së saj, Luçiana Kokaj vuri theksin te nevoja emergjente për një kontratë të re sociale dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke kërkuar që vendimmarrja t’i kthehet sovranit përmes referendumeve.
“Kemi shprehur kërkesat tona, ku kërkojmë dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Edi Rama. Nuk jemi këtu për të bërë parti politike. Jemi për të kërkuar një kontratë të re sociale të qytetarëve me shtetin, ku të mos jenë 140 deputetë që vendosin për fatet tona, të mos jenë ata deputetë me lista të mbyllura që vendosin për ne, por të kemi ne të drejtën për të vendosur për fatet tona. Do jenë edhe ekspertët që do japin mendimet e tyre për kërkesa juridikisht të sakta. Kushtetuta e Shqipërisë e njeh referendumin, por këta kanë manipuluar ligjet dhe këtë do e ndryshojmë ne nga ky shesh!”, deklaroi ajo.
Më tej, protestuesja bëri një thirrje të prerë për të gjithë ata që tentojnë të përçajnë frymën e tubimit, duke sqaruar se kauza është kombëtare dhe i tejkalon ndasitë partiake, fetare apo krahinore.
“Çdo ditë që do jetë protesta, do jeni ju që e vendosni. Zëri juaj do dëgjohet deri në fund dhe nuk do jetë askush të negociojë në kurrizin tuaj. Kam edhe një thirrje për ata që mundohen të përçajnë protestën: Kjo protestë shkon përtej bindjeve politike e fetare apo ndasive krahinore. Jemi këtu për Shqipërinë! Ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëgjuar një deklaratë të keqinterpretuar, që nuk kemi asnjë ndarje fetare e krahinore. Jemi të gjithë së bashku këtu, përtej të gjitha fjalëve që mundohen të na ndajnë. Nuk jemi këtu për çështje ndërkombëtare, por për të pastruar shtëpinë tonë, Shqipërinë! Duhet të jemi çdo ditë e më shumë dhe më të bashkuar. Rama jep dorëheqjen!”, përfundoi ajo.
Lini një Përgjigje