Aktualitet13 Prill 2024, 17:07

Pse po e shet Ermal Mamaqi restorantin ku pastronte paratë e Ilir Beqajt?

Shkruar nga Pamfleti

Pse po e shet Ermal Mamaqi restorantin ku pastronte paratë e Ilir Beqajt?

Restoranti "Me'NAM" i aktorit/moderatorit dhe së fundi "folësit motivues", Ermal Mamaqi, duket se nuk iu përmbajt emrit, por dështoi dhe ka dalë në shitje. Restoranti në fjalë është përmendur në dosjen e SPAK, si një prej "lavatriçeve" të parave nga Ermal Kurtuaj dhe ish-ministrit Ilir Beqaj. Siç duket edhe në njoftimin e mëposhtëm, në agjencinë imobiliare “Century 21”, restoranti "Me’NAM", përshkruhet si një ambient me kapacitet për 130 persona dhe investim rreth 300 mijë euro. Në një bisedë telefonike me ZËRI-n, agjentja e shitjes bëri me dije disa detaje të tjera.

"Shitet vetëm biznesi jo prona. Prona është me qira nga këta që e kanë investuar. Do paguash qira 4 mijë euro në muaj. Është 300 mijë e 500 euro investim, restoranti është gati për t'u dhënë, për të punuar. Si xhiro mujore, shkon në 35-38 mijë euro në muaj, mesatarisht”.

SPAK ka vërtetuar se restoranti "ME'Nam" në të paktën 3 raste ka lëshuar fatura fiktive për llogari të Kurtulajt. Megjithatë, në bilancin vjetor për vitin 2022, biznesi ka grumbulluar 22 milionë lekë të vjetra xhiro vjetore. Se sa reale është kjo shifër, nuk dimë të themi, pasi ZËRI zbardhi në dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe vartësve të tij, se një nga skemat që përdorte ‘grupi’ është ajo e faturave fiktive, siç është dhe rasti i restorant me “Me Nam”, i cili rezulton të ketë administrator shtetasin Fisnik Fili dhe Ermal Mamaqin.

Pavarësisht se ishte SPAK ai që përmendi me emër restorantin dhe ortakun e tij, Mamaqi e cilësoi lajm të rremë përfshirjen e tij me ish-ministrin Beqaj, duke pretenduar se ai nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore dhe se nuk është pjesë e asnjë skeme pastrimi parash. Dy muaj më vonë ka vendosur që të shesë biznesin, gjë që nuk e ka përmendur në postimet e tij në rrjetet sociale ku numëron 1.2 milionë ndjekës. Lëvizje kjo që ka ngritur pikëpyetje, a ka dështuar biznesi i Mamaqit, apo thjesht do të shkëpusë lidhjet me çështjen në SPAK?/ZËRI

Titulli redkasional, titulli origjinal: Dështim, apo...? Pse po e shet Ermal Mamaqi biznesin që i hetoi SPAK?!