Aktualitet12 Shkurt 2024, 16:10

Pse u tentua të vritej biznesmeni në Kurbin? Detajet e ngjarjes së 22 viteve më parë, Dritan Gjeloshi vrau një grua

Shkruar nga Pamfleti

Pse u tentua të vritej biznesmeni në Kurbin? Detajet e ngjarjes

Vetëm pak ditë më parë një ngjarje e rëndë ka tronditur Kurbinin, ku si pasojë e një atentati humbi jetën aksidentalisht ekonomisti i një firme inertesh, ndërkohë që objektivi ishte pronari i kompanisë.

Një prej pistave kryesore mbi të cilën po hetohet është një ngjarje e ndodhur në vitin 2002 ku i përfshirë ka qenë vëllai i objektivit të atentatit të Kurbinit, Dritan Gjeloshi.

Gjeloshi është gjykuar për vrasje në rrethana cilësuese për një ngjarjeje të 28 nëntorit 2002, në aksin Milot-Fushë Krujë.

Pas një shkëmbimi me armë zjarri, në këtë ngjarje, ka gjetur vdekjen shtetasja Marije Prenga, është plagosur Kastriot Prenga dhe Vitore Prenga. Në vendin e ngjarjes gjatë asaj kohe mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Gjeloshi.

Hetimi provoi 22 vite më parë se Kastriot Prenga së bashku me xhaxhain, nusen e xhaxhait, Marie Prenga, dhe dy motrat e tij, kishin qenë në fshatin Gorre për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të gjyshit, të ndjerit Mark Mashi.

Përpara ceremonisë mortore Kastriot Prenga kishte shkuar më herët për të marrë dërrasa në shtëpinë e Gjon Gjeloshi, i cili ishte komshi me Mark Mashin, pasi synonte të akomodonte njerëzit që do t’i ngushëllonin ditën e fatkeqësisë.

Në këtë moment Prenga është konfliktuar me Gjon Gjeloshin, i cili ka pretenduar se policia i kishte keqtrajtuar fëmijët (pjesë e te cilëve ishte edhe Prenga).

Ngjarja precipitoi në fund të ceremonisë mortore kur Kastriot Prenga teksa po drejtonte kamionçinën kishte si pasagjere pesë të afërm me të cilët po kthehej në banesë.

Dëshmitarët treguan se rruga ju është ndërprerë nga Dritan Gjeloshi, i cili i qëlloi me automatik me 21 plumba duke lënë të vrarë një grua dhe plagosur dy të tjerë.

Ai mbeti dhe vetë i plagosur mbasi nga këqyrjet e atëhershme u konstatuan gëzhoja të qitura dhe nga një pistoletë me të cilën hetimet provuan se kishte qëlluar Prenga.

Dritan Gjeloshi për këtë krim ishte dënuar me 20 vjet burgim.

Dy ditë më parë, u shënua një atentat ndaj vëllait të Dritanit, Ardian Gjeloshi, pronar i një firme inertesh, ku mbeti i vrarë ekonomisti Selman Mihana.

Mësohet se kanë qenë dy persona veshur me të zeza që kanë hyrë në ambientet e biznesit duke kapërcyer rrethimin dhe më pas kanë hapur zjarr menjëherë në drejtim të viktimës dhe të plagosurit. / TOP CHANNEL

ardian gjeloshi dritan gjeloshi kurbin