TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet30 Mars 2026, 17:31

"Qeveria, qëndrim antisocial ndaj qytetarëve", Arben Malaj: Zgjohet vetëm në kohë krize

Shkruar nga Pamfleti
"Qeveria, qëndrim antisocial ndaj qytetarëve", Arben Malaj:
Arben Malaj

Në një kohë kur rritja e çmimeve po godet drejtpërdrejt ekonominë familjare, qeveria po përballet me kritika për mënyrën se si po menaxhon situatën sociale dhe ekonomike në vend.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka akuzuar qeverinë për një qasje që e cilëson “antisociale”, duke theksuar se ndryshe nga vendet e tjera që kanë ndërhyrë me paketa mbështetëse, Shqipëria ka zgjedhur të presë.

Unë jam munduar ta verifikoj këtë, nuk di si ta emërtoj, këtë qëndrim antisocial që mban qeveria ndaj shtresave në nevojë. Inflacioni është një tatim i pamiratuar me ligj, ne e quajmë taksë regresive, godet më shumë ata që kanë të ardhura më të vogla”, u shpreh Malaj në "Syri TV".

Sipas tij, ndërhyrja nuk duhet të lidhet me një nivel të caktuar çmimi të karburantit, por me ndikimin real që inflacioni ka në jetën e përditshme.

S’ka asnjë lidhje niveli i çmimit me domosdoshmërinë për të ndërhyrë… ndërsa qeveria nxjerr një inflacion mesatar 3–3.5%, në fakt inflacioni i ushqimeve dhe pensioneve shkon deri në 10–15%. Ne nuk mund të presim që qeveria të ‘kujtohet’ vetëm kur çmimi i naftës të shkojë 220 lekë për litër”, tha ai.

Malaj shkon më tej, duke argumentuar se vetë shteti po përfiton financiarisht nga rritja e çmimeve, përmes rritjes automatike të të ardhurave nga TVSH.

Kur themi që inflacioni është një taksë, do të thotë që qeveria, pa ndryshuar përqindjen e taksave, në mënyrë abuzive merr para shtesë. Në një mall që ishte 100 lekë merreshin 20 lekë TVSH, kur bëhet 120 lekë, merren 24. Pra këto janë të ardhura nga inflacioni i lartë dhe duhet të shkojnë vetëm për mbrojtjen sociale”, theksoi ai.

Sipas tij, mungesa e një reagimi të shpejtë dhe të targetuar po lë të pambrojtura shtresat më të dobëta, të cilat në Shqipëri shpenzojnë deri në 60–65% të të ardhurave për nevoja bazë.

Në vendin tonë ka njerëz që harxhojnë deri në 60–65% të të ardhurave për mallra jetike dhe ndihen të braktisur. Qeveria duhet të kishte skenarë anti-inflacion gati, jo të zgjohet kur kriza ka ndodhur”, u shpreh Malaj.

Ai sugjeron që mbështetja të jetë e drejtpërdrejtë dhe e kontrolluar, përmes mekanizmave të targetuar si karta të posaçme për blerje ushqimesh, në mënyrë që fondet të shkojnë tek ata që kanë më shumë nevojë.

Ndihma duhet të jetë e targetuar. Me një kartë të dedikuar që përdoret vetëm për ushqime, shmanget abuzimi dhe ndihma shkon aty ku duhet. Shumë vende këtë po bëjnë, ndërsa ne ende nuk kemi asnjë instrument konkret”, tha ai.

Duke folur për bujqësinë, Malaj paralajmëron se mungesa e mbështetjes mund të ketë pasoja direkte në prodhim dhe në varësinë nga importet.

Fermerët duhet të ndihmohen urgjentisht, sepse ndryshe humbet cikli i prodhimit. Nëse bujqësia ka rritje zero, ndërkohë që pretendojmë miliona turistë, kjo do të thotë që ushqehemi nga importi dhe inflacioni vetëm sa rritet”, argumentoi ai.

Në fund, ai e lidh situatën ekonomike me një problem më të gjerë besimi dhe përgjegjësie politike.

Qeveria kur merr mandatin, bën një kontratë me qytetarët. Dhe kontrata më e rëndësishme është ajo sociale. Kur qytetarët humbasin besimin se vota e tyre sjell ndryshim, atëherë sistemet autoritare vijnë pa tanke”, përfundoi Malaj.

malaj ps nafta

Lini një Përgjigje