Aktualitet31 Tetor 2023, 08:00

Rama i ngriti bust në Dropull, Artan Hoxha kujton kohën kur ishte emigrant në Greqi: Mitsotakis urdhëroi operacionet e tmerrshme “Fshesa”, na masakronin!

Shkruar nga Pamfleti

Rama i ngriti bust në Dropull, Artan Hoxha kujton kohën kur ishte

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar ashpër për ngritjen e busit të ish-kryeministrit grek, Kostandin Mistotakis në Derviçan, ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Rama, tre ditë më parë.

Hoxha tha se babai i kryeministrit aktual të Greqisë, ishte urdhëruesi i operacioneve të dëbimit të emigrantëve shqiptarë në fillimvitet ’90. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ai rrëfeu përvojën personale kur policia greke masakronte pa asnjë shkak emigrantët ekonomikë shqiptarë, ndërsa deportoheshin në atdhe.

Ndërsa ngritjen e bustit në Dropull, Hoxha e konsideroi një qokë e shkuar dëm e Ramës ndaj homologut grek, që refuzoi të merrte pjesë pas tensioneve për arrestimin e Fredi Belerit.

“Mistotakis është kryeministri i parë grek që ka vizituar Dropullin në vitin 1991 dhe vetëm për këtë fakt, Rama ka gjetur një sebep për ta patur mirë me grekët, sepse na është thënë se ky Mitsotaqisi i parë ka ndikuar në marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Unë kam qenë emigrant në Greqi dhe e di çfarë kemi hequr nga operacionet e policisë greke! Operacionin ‘Fshesa” e ka bërë Kostandin Mitsotaqis. Ne uronim kur na kapnin që të mbushej autobusi shpejt se mund të na linin në birucë për ditë të tëra pa ujë dhe pa bukë. Na kanë futur në një autobus për 20 vetë, 70 vetë dhe nga Lamia poshtë dhe derisa na kanë nxjerrë në Kakavijë dhe nuk na kanë ndaluar as për bukë, as për ujë. Ky njeri që ka bërë operacionet më të tmerrshme “Fshesa”, sepse kur na kapnin na rrihnin kot, na masakronin dhe thonin: Shkoni tani te Berisha!

Ndërkohë këtij i bëhet busti në Dropull dhe këtë ia bëjmë ne, se po ta kishin kërkuar ata të Dropullit shumë mirë. Kur u bë vizita e fundit e Kiriakos Mistotakis, u premtua se do të vinte edhe ai. Interesante është që në këtë ceremoni që Rama e bën nën frymën e konfliktit për Belerin dhe e bën një ditë përpara Festës Kombëtare Greke, çuditërisht nuk vjen askush nga autoritetet greke, vetëm një deputet i Demokracisë së Re që ishte rangu më i ulët, madje nuk ishte as Vangjel Dule që është përfaqësuesi më i lartë i minoritetit grek.

Kjo ceremoni që u nis për të bërë një qokë Kiriako Mistotakis përfundoi vetëm Edi Rama dhe një deputete e Gjirokastrës dhe kryetari i bashkisë së Dropullit që i mbajti çadrën”, tha Hoxha.

artan hoxha dropull bust mistsotakis