
Protesta e banorëve të Bërxullës kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar ka nisur si çdo fundjavë edhe sot. Banorët bllokuar menjëherë rrugën së bashku me fëmijët e tyre.
Sakaq efektivët e policisë kanë rrethuar banorët ndërsa u kanë kërkuar që të lirojnë rrugën vazhdimisht, edhe pse ata kanë refuzuar kategorikisht.
Gjatë protestës në Bërxullë njëri prej banorëve ka kërcënuar se në tubimin e radhës do kryejë aktin e rëndë të vetëflijimit nëse nuk do marrë zgjidhje.
Sipas tij kryeministri Rama po fshihet pas ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku në këtë çështje, ndërsa kërcënoi se do vetëflijohet në protestën e radhës.
Ai u shpreh se nëse nuk do marrë zgjidhje për pronën “do marrë benzinë dhe shkrepëse” dhe do vetëflijohet.
“Kryeministri fshihet pas Ballukut, paçin faqen e zezë. të vish këtu dhe të bësh këto veprime me fshatarët është e paimagjinueshme, mos ta vonojë më, ai kryeministër, ajo ministre, ata drejtorë e qeveritarë. Të vijnë brenda javës dhe ta zgjidhim përfundimisht. Ne nuk jemi kundër rrugës dhe zhvillimit por duam hakun tonë. Le të negociojmë , unë jam fshatar kam pikëpamjet e mia, nuk shkoj dot në qytet. Radhën tjetër do marr shishen e benzinës, shkrepësen dhe do vetëflijohem këtu, qofsha më i poshtri po nuk e bëra, u jap fjalën, herën tjetër do flijohem këtu. Është toka jonë”, u shpreh ai.
“Këtë projekt rruge nuk e ka as AZHK as ARRSH, ato i hedhin topin njëra-tjetrës. Ku duhet të shkoj unë të kërkoj, rruga është pa projekt. Aktualisht që flasim është muaji i 6-të i protestës. Nuk është caktuar asgjë. Ne po sillemi njerëzisht dhe me edukatë në protestën tonë, ndërsa shteti bën sehir. Pse u ndryshua VKM për portin e Durrësit, për banorët e Bërxullës nuk ndryshon?
Do ta bllokojmë gjithë aksin, le të kalojnë nga Vora njerëzit. Ku del ky çmim 4 euro për tokën, kontrata e fundit ka qenë 52 euro për metër, e thotë ligji, nuk kam pse t’i drejtohem gjyqit. Shteti ka gjithë mundësinë ta zgjidhë këtë dhe nuk lëviz. Është çmenduri, nuk mund ta lejojmë. Ne do e përshkallëzojmë protestën çdo ditë, jo një herë në javë”, tha një tjetër banorë.