
Pasditen e kësaj të premteje, rreth orës 14:00, një stuhi e fuqishme ka goditur Belshin dhe zonën e Dumresë, duke sjellë reshje të mëdha shiu, breshër dhe erëra të forta. Këto kushte të pazakonta moti kanë shkaktuar probleme të ndjeshme, duke ndikuar rëndë në infrastrukturën lokale dhe duke bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore të qytetit.
Përmbytjet e shpejta, të shkaktuara nga sasia e madhe e ujit që ka tejkaluar kapacitetin e sistemit të kullimit, kanë vënë në rrezik kalimtarët dhe automjetet. Era e fortë ka penguar gjithashtu përpjekjet e ekipeve të emergjencës për të ndërhyrë menjëherë.
Zyrtarët vendorë u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të evitojnë lëvizjet e panevojshme deri sa situata të qetësohet. Për momentin, nuk ka informacione për viktima apo dëme të mëdha materiale, por gjendja vazhdon të jetë e paqëndrueshme. Fenomeni i sotëm është një nga episodet më të rralla të motit ekstrem në këtë zonë, duke u krahasuar me stuhitë e fundit që kanë prekur disa qytete të tjera në vend.
Ekipet e emergjencës në Belsh janë mobilizuar plotësisht dhe po ndjekin nga afër situatën për të reaguar sipas nevojës.
Lini një Përgjigje