
Situata në qarkun e Lezhës për shkak të reshjeve intensive të shiu vijon kritike.
Autoritetet bëjnë me dije se orët në vazhdim pritet të jenë dinamike sa i përket menaxhimit të situatës, ndërsa theksoi angazhimin maksimal të strukturave në terren.
Ministri Vengu njoftoi se është kërkuar mbështetje me mjete shtesë, për të cilat ka pasur reagim të menjëhershëm nga Ministria e Bujqësisë.
Duke bërë një panoramë të situatës aktuale, Vengu theksoi se ka forca te ushtrisë qe janë dislokuar në Kurbin, si zona më e prekur nga reshjet dhe dëmet e shkaktuara deri tani, ndërsa trupa të tjera janë vendosur edhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme.
Sipas tij, po ndërhyhet gjithashtu në tre zona ku urat kanë pësuar dëmtime dhe paraqesin rrezik.
Reshjet e dendura dhe prurjet nga përrenjtë malorë kanë shkaktuar probleme në Bashkinë e Lezhës, ku është dashur ndërhyrja e ekipeve të emergjencave civile.
Si masë sigurie, janë evakuuar 4 familje ne Zejmen, banesat e te cilave janë nen nivelin e kanaleve kulluese e për pasoje janë përmbytur, dhe këto familje janë strehuar në konviktin e shkollës profesionale në qytetin e Lezhës.
Një situatë e ndërlikuar paraqitet në lagjen “Sake”, një zonë depresive ku disa banesa janë rrethuar nga uji aktualisht.
Për shkak se zona ka status të mbrojtur, ndërhyrjet e Bashkisë kërkojnë aprovimin e Ministrisë, duke e vështirësuar menaxhimin e menjëhershëm.
Shqetësuese mbetet gjendja edhe në Njësinë Administrative Kallmet, ku rezervuari ka arritur pikën maksimale për shkak të prurjeve të shumta. Probleme janë regjistruar edhe në Dragushë dhe në Dajç, ku kanalet e ujërave të larta paraqesin rrezik nëse reshjet vazhdojnë me intensitet.
Në Kurbin, zona me e prekur nga përmbytjet ka patur vetëm një familje te evakuuar në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata paraqitet më e qetë, me probleme të kufizuara në disa rrugë rurale ku janë shënuar rrëshqitje dhe prani inertesh. Ndërhyrjet e kryera gjatë ditës kanë stabilizuar gjendjen.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë. Ekipet kanë ndërhyrë në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në kanalet e ujërave të larta të Zadrimës, duke ndihmuar në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë në disa zona gjatë paradites, por ndërhyrjet teknike kanë bërë të mundur rikthimin e furnizimit në të gjitha zonat.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka shtuar patrullat dhe monitorimin në akset problematike, për të kufizuar lëvizjen e mjeteve dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Po ashtu edhe në qarkun e Shkodrës vijojnë reshjet e shiut me intensitet kryesisht mesatar dhe herë pas here të lartë.
Ekipet e FA kanë punuar përgjatë gjithë ditës për hapjen e rrugës Theth-Breg Lumi, por nuk kanë mundur për shkak të errësirës, kështu që puna do të rifillojë nesër në mëngjes.
Problemet më të mëdha raportohet të jenë në furnizimin me energji elektrike. Në Malësi të Madhe raportohet për një shtyllë të energjisë elektrike të dëmtuar, ndërkohe po punohet për riparimin e shtyllës nga ekipet e OSHEE.
Mungesë energjie elektrike ka dhe në nënstacionet Koplik, Bajzë, Vukpalaj dhe sub. 35 kV.
Situata sipas qarqeve:
Qarku Durrës
Bashkia Durrës:
Vijon puna në terren për eliminimin e pasojave të reshjeve në njësitë Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm.
Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
Hidrovorët e Porto Romanos dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Qarku Dibër
Situata paraqitet e qetë, përveç mungesës së energjisë elektrike në njësitë Kala e Dodës, Sllovë, Zall Dardhë, Reç, Lurë dhe pjesërisht në Arras e Fushë Çidhën.
Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.
Qarku Lezhë
Bashkia Kurbin:
Vijon puna për normalizimin e situatës në Mamurras dhe fshatrat Gjorëm, Zhejë dhe Fushë Mamurras.
Në fshatin Shpërdhe, rruga është dëmtuar nga ujërat e lumit Droje.
Puna vijon edhe në segmentin Skuraj–Gallatë–Vinjollë, i cili mbetet i bllokuar për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Vinjollë.
Nivelet e ujit në lumenjtë Drin dhe Mat janë brenda kuotave.
Qarku Kukës
Ka rënie inertesh në disa akse rrugore, dhe kompanitë kontraktore po punojnë për pastrimin e tyre.
Segmenti Vranisht–Fajza (njësia Fajza, bashkia Has) është dëmtuar si pasojë e reshjeve.
Qarku Shkodër
Bashkia Shkodër:
Vijon pastrimi i inerteve në segmentin Gimaj–Bregu i Lumit (njësia Shalë) nga trupat e FA dhe punonjësit bashkiakë.
Segmenti Ndërlysë–Breg Lumi mbetet i bllokuar; po punohet për hapjen e tij.
Qarku Elbasan
Nuk ka raportime për problematika, përveç rënies së inerteve në segmentet Elbasan–Librazhd dhe Elbasan–Rrogozhinë, të cilat po pastrohen nga operatorët e mirëmbajtjes.
Lini një Përgjigje