
Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëmtime në një pjesë të skarpatës së Unazës së Pogradecit. Bashkia njoftoi se segmenti hyrës i Unazës, nga drejtimi i Qafë Thanës drejt qytetit, do të bllokohet përkohësisht për të shmangur rrezikun e rënies së gurëve në rrugë. Institucioni sqaroi se kufizimi prek vetëm hyrjen e Unazës.
Bashkia njofton se hapja e segmentit do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë ndërhyrjet dhe të sigurohet se zona nuk përbën më rrezik për drejtuesit e mjeteve. Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet deri në normalizimin e situatës.
“Njoftohen të gjithë drejtuesit e automjeteve se segmenti hyrës i Unazës së Pogradecit kur vjen nga Qafë Thana drejt qytetit, do të jetë përkohësisht i mbyllur për qarkullim për shkak të rrezikut të rënies së gurëve, si pasojë e dëmtimit të një pjese të skarpatës nga reshjet e fundit. Theksojmë vetëm hyrja për në Unazë.
Punonjësit në terren do të vijojnë edhe nesër punën për stabilizimin dhe përmirësimin e skarpatës së kodrës. Hapja e këtij segmenti do të njoftohet në një moment të dytë, sapo të përfundojnë punimet dhe të garantohet siguria”, njoftoi bashkia.
Lini një Përgjigje