Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar vëmendje protestës së zhvilluar të premten nga Partia Demokratike në Tiranë, duke raportuar për përplasje mes policisë dhe mbështetësve të opozitës.
Sipas Reuters, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion pasi disa protestues hodhën shishe me lëndë djegëse dhe fishekzjarre në drejtim të zyrës së kryeministrit Edi Rama.
“Tensionet politike janë rritur që prej muajit dhjetor, kur një njësi e posaçme e prokurorisë ngriti akuza ndaj zv/kryeministres Balluku për ndërhyrje të dyshuar në tenderë publikë për projekte të mëdha infrastrukturore dhe favorizim të kompanive të caktuara. Ajo i ka mohuar akuzat.
Mijëra mbështetës të Partisë Demokratike brohoritën parulla kundër kryeministrit dhe mbanin flamuj kombëtarë dhe partiakë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se “ditët e Edi Ramës janë të numëruara” dhe se përgjegjësit do të përballen me ligjin”, shkruan Reuters.
Më tej vijohet se një gjykatë kundër korrupsionit ka pezulluar Ballukun nga detyra, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të saj për të mundësuar arrestimin. Reuters thekson se Partia Socialiste e kryeministrit Rama, e cila siguroi mandatin e katërt radhazi vitin e kaluar, ka shumicë të qëndrueshme parlamentare dhe mbetet e paqartë nëse dhe kur do të votohet për heqjen e imunitetit.
“Kryeministri Rama ka shprehur më herët shqetësime për atë që e konsideron tejkalim të kompetencave nga ana e drejtësisë, veçanërisht lidhur me paraburgimet. Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, ndërsa BE-ja ka theksuar se vendi duhet të intensifikojë përpjekjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, përfundon “Reuters”.
Lini një Përgjigje