
SHBA-të paralajmërojnë për "dhunë të synuar që lidhet me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë listuar 13 vendet europiane që konsiderohen si destinacione shqetësuese për shtetasit amerikanë të zgjedhin të kalojnë pushimet në Europë.
Mes vendeve që renditen në atë që konsiderohet si ‘lista e turpshme’ renditet edhe Shqipëria, e cila në bazë të klasifikimit përfshihet në grupin 2 të rrezikut, nga 4 grupet që Departamenti i Shtetit klasifikon shtetet në bazë të rrezikshmërisë.
Media gjermane në një artikull analizon një nga një të gjitha shtetet europiane, që sipas autoriteteve amerikane kanë rrezikshmëri për shkak të bandave kriminale, rrjeteve të trafikut të drogës, grupeve terroriste apo sulmeve nga individë të veçantë, duke i konsideruar këto vende si një “kërcënim i vazhdueshëm”.
Sistemi paralajmërues me katër nivele i SHBA-së varion nga Niveli 1 (Masat paraprake normale) deri në Nivelin 4 (Mos udhëtoni).
Gjermania ka vlerësim të Nivelit 2 për shkak të kërcënimit të terrorizmit. "Grupet terroriste dhe aktorët e vetmuar mbeten një kërcënim i vazhdueshëm në Gjermani dhe Evropë", thuhet në paralajmërimin zyrtar .
Autoritetet amerikane paralajmërojnë posaçërisht për sulme "me thika, armë të vogla, pajisje të thjeshta shpërthyese dhe sulme me automjete". Atraksionet turistike, qendrat e transportit si aeroportet dhe stacionet e trenave, qendrat tregtare, hotelet, restorantet, vendet fetare, institucionet arsimore dhe ngjarjet e mëdha sportive ose kulturore janë veçanërisht një rrezik.
Italia, një nga destinacionet më të njohura të udhëtimit për amerikanët, u vendos gjithashtu në Nivelin 2. "Ekziston rreziku i dhunës terroriste", paralajmëron Departamenti i Shtetit. Sipas autoriteteve amerikane, atraksionet turistike, qendrat e transportit dhe qendrat tregtare janë veçanërisht në rrezik.
Gjithashtu SHBA-të paralajmërojnë rreziqe nga udhëtimet në Alpe. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, një nga vendet më të rrezikshme në Zvicër është St. Moritz i njohur në Engadine.
Belgjika dhe Holanda janë në listë për arsye të ngjashme. "Terroristët mund të sulmojnë me pak ose aspak paralajmërim", thuhet në të dy paralajmërimet. Shënjestrat përfshijnë të gjithë spektrin e vendeve publike, nga tregjet dhe hotelet te parqet dhe shkollat.

Suedia dhe Danimarka, të cilat tradicionalisht konsiderohen destinacione të sigurta udhëtimi, gjithashtu marrin paralajmërime të Nivelit 2 vetëm për shkak të rrezikut të terrorizmit. "Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme", është paralajmërimi për të dy vendet skandinave. SHBA-të rekomandojnë kujdes të veçantë në "vendet publike të mbushura me njerëz".
Mbretëria e Bashkuar nga Niveli 1 ka zbritur në Nivelin 2 në shtator 2024. Përveç rrezikut të përgjithshëm terrorist, SHBA-të paralajmërojnë për "dhunë të izoluar nga grupet disidente në Irlandën e Veriut", e cila "është e përqendruar kryesisht në objektivat policore dhe ushtarake".
Franca është gjithashtu në listën e Nivelit 2, por për dy arsye. Përveç rrezikut të terrorizmit, SHBA-të paralajmërojnë edhe për "trazira civile". "Grupet terroriste vazhdojnë të planifikojnë sulme të mundshme në Francë", thuhet në vlerësim. Demonstratat paqësore mund të "përfshijnë dhunë dhe dëmtime të pronës në raste të rralla".
Spanja merr të njëjtin paralajmërim të dyfishtë për terrorizëm dhe trazira civile. Autoritetet amerikane theksojnë se demonstratat janë "të shpeshta" dhe mund të ndodhin në përgjigje të çështjeve politike ose ekonomike. Udhëtarët duhet të "shmangin demonstratat dhe turmat" dhe të monitorojnë median lokale.
Por jo të gjitha vendet evropiane në listën e Nivelit 2 janë nën mbikëqyrje për shkak të terrorizmit. Serbia përfshihet në këtë grup për shkak të dhunës e lidhur me krimin e organizuar.
Shqipëria është në listë për arsye të ngjashme. SHBA-të paralajmërojnë për "dhunë të synuar që lidhet me rrjetet e paligjshme të drogës dhe krimin e organizuar në të gjithë vendin". Aftësia e zbatimit të ligjit për të mbrojtur udhëtarët është e kufizuar "në disa zona, veçanërisht në rajonet e largëta".
Por janë edhe dy vende evropiane që përfshihen në Nivelin 4 të sigurisë, ku shtetasit amerikanë rekomandohen të mos udhëtojnë.
Bjellorusia është në listën e zezë për shkak të "zbatimit arbitrar të ligjeve lokale, rrezikut të arrestimit, mbështetjes së vazhdueshme për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe potencialit për trazira civile". Qytetarëve amerikanë në Bjellorusi u këshillohet të "largohen menjëherë".

Dhe në këtë grup përfshihet edhe Ukraina për shkak të rrezikut nga lufta që prej 3 vitesh ka nisur si pasojë e pushtimit nga Rusia.
Çfarë do të thotë niveli i paralajmërimit për udhëtim nga SHBA?
Niveli 1 – Merrni masa paraprake normale: Masat paraprake normale të mjaftueshme, rreziqe minimale
Niveli 2 – Tregoni kujdes të shtuar: Rreziqe të rritura, kërkohet kujdes shtesë
Niveli 3 – Rishqyrtoni udhëtimin: Rreziqe serioze sigurie, rishqyrtoni udhëtimin
Niveli 4 – Mos udhëtoni: Ndalim absolut udhëtimi, jashtëzakonisht i rrezikshëm /Pamfleti/
Lini një Përgjigje