Aktualitet 4 Dhjetor 2023, 21:49

Saga e vrasjeve Nikulaj-Lekstakaj, ish-prokurori Beci: Shteti ka dështuar të parandalojë hakmarrjen dhe të dënojë autorët

Shkruar nga Pamfleti

Saga e vrasjeve Nikulaj-Lekstakaj, ish-prokurori Beci: Shteti ka dështuar

Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci deklaroi se vrasja e Entjan Nikulajt në Lezhë para dy ditësh, që pasoi vrasjet e tjera mes dy fiseve, Nikulaj dhe Lekstakaj, tregon se shteti ka dështuar, prej 20 vitesh, duke lënë pas vetëm viktima.

Në një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit”, Beci tha numri i lartë i vrasjeve vjen nga mos kapja e autorëve dhe dënimi minimal i atyre që arrestohen.

Pjesë nga biseda në studio:

Eugen Beci: Për zinxhirin e ngjarjeve të Lezhës, duke e lidhur me vrasjen që ndodhi në hotel, ku u zbulua se ishte pajtuar një grup i strukturuar kriminal në një vrasje që kishte për motiv gjakmarrjen, sigurisht që e vështirëson punë  e organeve ligjzbatuese. Gjakmarrja me formën e Kanunit, sot po përshtatet me kohët moderne, nuk kryhen me vrasjet nga pjesëtarët e fiseve në gjakmarrje, por nga vrasësit me pagesë dhe kjo e vështirëson punën e organeve ligjzbatuese, sepse bëhet e vështirë për të lidhur motivin e vrasjes për gjakmarrje me vrasësin me pagesë.

Fakti se organet kanë prej 20 vitesh këtë konflikt tregon se shteti ka dështuar të parandalojë ngjarjen dhe të dënojë personat.

Ylli Rakipi: Çfarë mund të bëjë shteti kur kemi dy fise që po vriten me njëri-tjetrin?

Eugen Beci: Në rast se zbulohet autorësia e të gjithë pjesëmarrësve në një vendngjarje dhe këta persona marrin dënimet maksimale, kemi fuqi të plotë parandaluese, sepse edhe pala tjetër kupton se shteti bëri drejtësi, Nëse nuk zbulohen plotësisht autorët e ngjarjeve, nëse dënohen pak,  apo shmangen nga dënimi, pala tjetër nuk është e prirur të ketë një lloj pajtimi sepse shikon se nuk është vënë drejtësia.

Kam punuar disa vite në qytetin e Shkodrës. Kemi dënuar persona për gjakmarrje, edhe me dënime për përjetshme, por, pavarësisht se është dënuar personi që ka bërë vrasjen, pas disa vitesh është vrarë ose djali i xhaxhait, ose vëllai i tij. Pra gjakmarrja nuk paska vetëm problem penal, është edhe problem i emancipimit të shoqërisë.

Por një 50 përqindësh e kanë organet ligjzbatuese që duhet të shmangin përplasjen. Policët duhet të kenë “antenat” drejt fiseve që janë në hasmëri edhe përmes përgjimeve parandaluese.

beci nikulaj