
Bllokimi i aksit Librazhd–Pogradec ka ndikuar drejtpërdrejt në transportin ndërqytetas dhe ka sjellë rritje të çmimeve për mijëra udhëtarë që lëvizin mes qyteteve.
Udhëtimi drejt Tiranës, i cili më parë kushtonte 700 lekë të reja, tani kushton 1000 lekë të reja për një biletë. Rritja ka prekur veçanërisht linjat që lidhin juglindjen me kryeqytetin.
Qytetarët kundërshtojnë këtë ndryshim dhe paralajmërojnë për vështirësi ekonomike. Ata theksojnë se “për shumë familje kjo rritje është e papërballueshme”. Shqetësimi i tyre lidhet edhe me mundësinë që çmimi i ri të mbetet në fuqi edhe pas rikthimit të qarkullimit normal në aksin e bllokuar.
Shoferët e linjave ndërqytetase e lidhin rritjen me ndryshimin e itinerarit. Ata raportojnë se udhëtimi zgjat disa orë më shumë se zakonisht dhe kërkon më shumë karburant. Devijimi përmes segmentit Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh ka zgjatur kohën e lëvizjes dhe ka shtuar amortizimin e mjeteve.
Sipas drejtuesve të mjeteve, segmenti alternativ është i ngushtë, me kthesa të shumta dhe me dëmtime në infrastrukturë, çka ka rritur kostot operative dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në çmimin e biletës.
Situata në rrugë vazhdon të ndikojë në lëvizjen e qytetarëve dhe në tarifat e transportit ndërqytetas.
Lini një Përgjigje