
Deputeti i LVV-së Enver Dugolli, tha se ka informacione të sigurta që dje në Banjskë të Zveçanit qëllimi i sulmuesve ishte që të vriteshin sa më shumë policë. Në një intervistë për T7, Dugolli tha se në Banjskë u kap armatim ushtarak që gjendet vetëm në depo ushtarake.
“Bëhet fjalë për armatim ushtarak i cili nuk gjendet në treg të lirë, nuk mund t’i gjesh në dyqane armësh. Vuçiçit i ka dështuar plani. Plani ka qenë që fillimisht të vriten sa më shumë policë. Sipas informatave që kam, Policia e ka pa fillimisht rrugën e bllokuar dhe kanë thirrur kolegët e tyre për përforcime, nuk ka pas asnjë lëvizje. Në momentin që kanë shkuar me përforcime dhe kanë dalë tek ai vendi, ata kanë filluar të shtëna nga të dyja anët, ka qenë prita L, pritë profesionale-ushtarake, për me shkaktuar viktima të shumta në polici. Tre ju kanë duk pak, në momentin që të vinë shumë, atëherë të shtien me të gjitha edhe kanë shti ashtu.
Profesionalizmi i tyre dhe në njëfarë forme policët kanë filluar kundërsulm dhe e kanë tërheq rreshterin Bunjaku dhe kanë filluar të shtënat me ta. Pastaj kanë ardhur ende përforcime, por me automjete të blinduara dhe sulmuesit janë tërheq duke u futur në manastir”, u shpreh Dugolli.
Ai tha se për sulmin në veri ekzistonte edhe një skenar i dytë.
“Skenari i dytë, ka qenë, se aty ka pas pelegrinazh, civil dhe klerikë fetarë. Kanë menduar që policia do t’i sulmojë dhe në sulm e sipër vriten civilë e pelegrinazh, prishet manastiri dhe ky lajm të shpërthejë në gjithë botën e të akuzohet Kosova se po shkelë edhe në kultet fetare. Ky ka qenë kurthi më i rrezikshëm për Kosovën”, tha deputeti.