Aktualitet 1 Mars 2024, 20:32

Shpërthimi në Lushnje, banorët rrëfejnë tmerrin e përjetuar: Ishte si tërmet, u tronditëm!

Shkruar nga Pamfleti

Shpërthimi në Lushnje, banorët rrëfejnë tmerrin e

Shpërthimi i fuqishëm që ndodhi pasditen e sotme në Lushnjë që la pas dy viktima dhe disa të plagosur, është ndjerë në të gjithë qytetin.

Më shumë shpërthimin e kanë ndjerë banesat pranë magazinës. Kryefamiljari i një banese që ka pësuar edhe dëme të shumta materiale, ka rrëfyer se shpërthimi ishte i fortë si tërmet.

“Jam 80 vjeç dhe ngjarje të tillë nuk kam parë. Ishte si tërmet dhe më i fortë se tërmet. U kthye gjithçka në shtëpi. Dyer, dritare, xhama. Dola me plakën jashtë. Jemi 8 persona në shtëpi, më i vogli është 2 javësh. U tronditem shumë”, ka treguar ai për “Top Channel”.

Ndërkohë një tjetër banor i zonës ku ndodhi shpërthimi në Lushnjë, tha se dëmet materiale në banesën dhe biznesin ku punonte së bashku me familjarët e tij ishin tepër të mëdha.

Sipas tij dëmi për biznesin e elektroshtëpiakeve llogaritet mbi 200 mijë euro, ndërsa rrëfeu edhe momentin e shpërthimit duke treguar se, punëtorët dhe familjarët kishin përjetuar momente tmerri me xhamat që binin përreth tyre.

Isha duke punuar poshtë. Fëmijët ishin duke luajtur këtu, njerëzit e tjerë në dhomën e pritjes. Për momentin thjesht mendova për ata, u ngjita lart, i kapa i nxora jashtë thjesht të shpëtonim ata pa menduar gjë tjetër. Falë Zotit nuk kemi asnjë dëmtim në njerëz. 4 anëtarë jemi në familje, në total ishim 10 persona që rrezikoheshim.

(Dëmet në biznesin e elektroshtëpiakeve) Biznesin e ka kunati, po punoj edhe unë me të. Nuk e nxjerrim dot vlerën por llogaritet rreth mbi 200 mijë euro. Vala goditëse ishte goxha e fuqishme. Nuk po merrnim vesh çfarë po ndodhte. Një zhurmë shumë e madhe, xhamat binin gjithandej, fëmijët të trembur”, u shpreh banori i zonës për Report Tv.