Aktualitet24 Korrik 2023, 10:35

Shuhet zjarri në Peshtan të Fierit, shkrumbohen 30 hektarë pyll

Shkruar nga Pamfleti

Shuhet zjarri në Peshtan të Fierit, shkrumbohen 30 hektarë pyll

Mëngjesin e ditës sotme situata konsiderohet e normalizuar pas shuarjes së zjarrit në masivin pyjor me pisha në kodrat e Peshtanit në Fier.

Që prej mbrëmjes së djeshme zjarri është shuar dhe vënë nën kontroll nga forcat zjarrfikëse të Fierit, Patosit e Roskovecit dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit.

Pasditja e djeshme ka qenë edhe më kritike nga zjarri pasi u rindez dhe doli jashtë kontrollit duke shkuar në afërsi të rrugës rurale Fier-Cakran. Nisur nga kjo situatë dhe terreni i vështirë që bën të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, u kërkua ndihma dhe ndërhyrja e helikopterit që pas një operacioni prej mbi një orë e gjysmë ka arritur të ndal përhapjen e flakëve në masivet me ullinj.

Pas zjarrit që përfshiu masivin pyjor me pisha në Peshtan të Fierit organet e drejtësisë dhe policia kanë zbuluar dhe kanë bërë arrestimin e një 28-vjeçari si shkaktarin e zjarrvëniës.

Duke iu referuar informacioneve të marra nga drejtuesi i zjarrfikësve të Fierit, Zija Hyka pas 3 ditësh në luftë me flakët dëmi i shkaktuar në këtë zonë shkon në 30 ha kryesisht pyll pishë dhe dushk.

Në masivin pyjor në Peshtan kanë shkuar sot rreth 40 forca të ushtrisë dhe 30 forca zjarrfikëse si dhe 3 mjete zjarrfikëse qe po monitorojnë situatën në të gjithë vijën e zjarrit. Sipas drejtuesit të zjarrfikësve ditën e sotme po bëhet e mundur shuarja e vatrave të zjarrit të vogla në dukje, por që mund të riaktivizohen nga temperaturat e larta dhe influencimi nga era.

peshtan fier zjarr 30 hektare pyll