
Në zonën e mbrojtur të Rezervatit të Ballollit, flakët e zjarrit kanë marrë përmasa në zonën e pyllit. Në vendngjarje kanë shkuar një zjarrfikëse nga Poliçani, një zjarrfikëse nga Dimali dhe 6 punonjës të Zonave të Mbrojtura të Beratit, si dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Sipas autoriteteve vendore, situata konsiderohet e rëndë. Ndërsa në zonat e banuara të Poliçanit situata është e qetë dhe po mbahet në monitorim.
Situata problematike është edhe në fshatin Velçan të Beratit, ku zjarri ka marrë përmasa në sipërfaqe me shkurre. Mësohet se po operojnë 20 forca zjarrfikëse, 3 mjete zjarrfikëse nga Berati si dhe 25 forca nga Bashkia.
Në Skrapar, vatra e zjarrit në Orizaj, zhvillohet me intensitet të ulet në sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje ndodhen 6 zjarrfikëse dhe 2 mjete zjarrfikëse nga Skrapari, 5 forca vullnetare të fshatit, 5 forca nga shërbimi pyjor i bashkisë.
Në Bashkinë Dimal dhe Kuçovë situata është e qetë. Në qarkun Dibër janë aktive dy vatra zjarri, njëra në Tërnovë afër Liqenit të Zi dhe tjetra në Val të Martaneshit. Flakët deri më tani nuk përbëjnë rrezik për banorët pasi janë larg fshatrave.
Përhapja e zjarrit është e madhe dhe janë dëmtuar disa hektarë pyje. Ndërkohë në terren ndodhen forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të bërë të mundur shuarjen e flakëve.
Deri në mëngjesin e sotëm, në qarkun e Kukësit është raportuar vetëm një vatër zjarri, e cila ndodhet në zonën pyjore të Majës së Zezë, në fshatin Shëmri, Njësia Administrative Malzi.
Zjarri është izoluar plotësisht dhe po mbahet nën monitorim nga strukturat e bashkisë për të siguruar shuarjen e tij të plotë.
Lini një Përgjigje