Aktualitet 7 Mars 2023, 12:33

Skandal/ SPAK heq nga lista e sekuestros kompaninë e kokainës Bana-King dhe bosin e saj Trifon Murataj

Shkruar nga Pamfleti
Skandal/ SPAK heq nga lista e sekuestros kompaninë e kokainës
Trafikanti i kokainës Trifon Murataj

Dy agjentët e BKH kanë dorëzuar dosjen pasurore për procedim sekuestroje të “Bana King” e pronarit të saj trafikant Trifon Murataj, por thuhet se mafia qeveritare ka ndërhyrë që të mos preket para zgjedhjeve të 14 majit, ngaqë kjo kompani prej 10 vitesh është sponsore e PS...

Kompania “ZICO Sh.A” e bananeve, e njohur me emrin publik “Bana King” vazhdon të mos preket nga SPAK, megjithëse është kompania “lider” në trafikimin e kokainës nga Ekuadori në Shqipëri, me 2 ton kokainë vetëm brenda vitit 2022.

Pronari Trifon Murataj, organizator i trafikut të kokainës, u lejua të arratisej 8 orë para arrestimit më 4 nëntor 2022, në marrëveshje mes ish-kreut të SPAK, Arben Kraja dhe kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, me diktat nga të sponsorizuarit prej tij në pushtet, politikë e media.

Por vazhdimi i mos goditjes së kompanisë “Bana- King”, tregon se drejtuesi i ri i SPAK, Altin Dumani ose nuk po i këput dot ose nuk do t’i këpusë “fijet e zeza” të lidhjeve mes prokurorëve, politikës e bosëve të trafiqeve.

Këtë e dëshmon një informacion konfidencial nga Byroja Kombëtare e Hetimit, sipas të cilit, “Paria e SPAK” ka vendosur  të shtyjë pa afat, procedimin e sekuestros pasurore dhe bllokimit të aktivitetit të kompanisë në hetim “Bana- King” e pronarit të saj trafikant Trifon Njazi Murataj.

Dy agjentët e BKH, që janë marrë me operacionin e gjurmimit dhe evidentimit të pasurive të “Bana- King”, të pronarit Murataj e 4 familjarëve të tij, kanë dorëzuar në SPAK dosjen pasurore mes tyre 75 automjete, 4 trajlera, 6 magazina, 2 restorante, 21 toka troje, 4 vila dhe 11 apartamente në Fier, Durrës, Vlorë, Sarandë, Himarë e Tiranë.

Por kompania e kokainës “Bana- King” dhe pronari i saj trafikant Trifon Muraraj, janë hequr nga lista me 9 persona e subjekte biznesi, që kanë hetuar këta 2 agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për qëllim të procedimit penal “Sekuestro pasurore e bllokim aktiviteti”.

Sipas informacionit, që ka rrjedhur nga zyra e Altin Dumanit te “veshët” e zyrtarëve të BKH, thuhet se mafia qeveritare ka urdhëruar që pasuria “Bana- King” e pronarit të saj, të mos preket para zgjedhjeve të 14 majit, ngaqë prej 10 vitesh është sponsor i fushatave e aktiviteteve të PS.

Edhe Sali Berisha e Ilir Metaj, kanë heshtur në të 3 rastet që “Bana- King” është kapur me mbi 2 ton kokainë gjatë vitit 2022, madje edhe për mos-arrestimin dhe lejimin e arratisjes së pronarit Trifon Murataj, sepse janë financuar prej tij.

Por edhe nëse nuk e ka detyruar mafia politike, SPAK ka detyrimin të zbatojë Ligjin Anti-mafia, në nenin 11 të të cilit, thuhet: - Me kërkesë të motivuar të prokurorit, gjykata vendos sekuestrimin e pasurive të personave e subjekteve, kur ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indicie që tregon se mund të jetë i përfshirë në veprimtari kriminale.

Në rastin konkret, SPAK duhej t’i ishte drejtuar gjykatës brenda 5 ditëve nga konstatimi i krimit në kontejnerët e “Bana- king”, mbasi pronari Trifon Murataj është me masë “Arrest në burg në kërkim”, për trafikim kokaine me grup të strukturuar në Ekuador e Shqipëri.

Po sipas këtij ligji, sekuestroja e pasurive bëhet me qëllim që pronari i “Ban King”, të mos bëjë tjetërsim të tyre; por Trifon Murataj nuk është sekuestruar, si trafikantët Arbër Çekaj e Eduard Dauti të bananeve dhe 32 trafikantë të tjerë të arrestuar, dënuar e në kërkim./Pamfleti

 

trifon murataj spak sekuestro kokanina bana- king