TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Qershor 2026, 18:31

Sot dita e 12-të e protestës, qytetarët: Rama-Berisha kanë marrë peng vendin

Shkruar nga Pamfleti
Sot dita e 12-të e protestës, qytetarët: Rama-Berisha kanë
Nis grumbullimi i protestuesve

Lëvizja që nisi për Zvernecin është shndërruar në një revoltë të gjerë kundër establishmentit politik. Protestuesit flasin për një Shqipëri të marrë peng nga politika e 35 viteve të fundit dhe kërkojnë ndryshim të plotë të klasës drejtuese.

Protesta që nisi 12 ditë më parë për projektet në Zvernec dhe zonat e mbrojtura të jugut është shndërruar tashmë në një lëvizje shumë më të gjerë kundër klasës politike shqiptare. Mijëra qytetarë janë mbledhur këtë të diel në Sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, në atë që organizatorët e konsiderojnë si një revoltë qytetare kundër gjithë establishmentit politik.

Ndryshe nga protestat tradicionale të viteve të fundit, në tubimin e sotëm nuk dëgjohen vetëm thirrje kundër qeverisë së Edi Ramës. Një pjesë e madhe e protestuesve shprehen hapur se kundërshtojnë edhe opozitën dhe figurat politike që kanë dominuar jetën publike shqiptare gjatë tre dekadave të fundit.

Mes qytetarëve të mbledhur në shesh ishte edhe një pensionist, i cili tha se protesta duhet të vazhdojë deri në fund dhe se shpresa e vetme për ndryshim mbetet rinia.

Jam në protestë dhe do vazhdoj. Kam dalë që të largohet kjo qeveri, u bënë mbretër. Në vend që të jetë shërbëtor i popullit, ai tallet me popullin. Unë jam i majtë por ai tallet me popullin. Po nuk pati kjo protestë një produkt, Shqipëria është në skëterrë. Dhe këtë do ta bëjë rinia dhe vetëm rinia. Siç e ka nisur dhe të mos e lërë deri në fund”, tha ai.

Pikërisht roli i të rinjve dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga diaspora po konsiderohen si një nga elementët më të veçantë të kësaj lëvizjeje, e cila prej 12 ditësh ka arritur të mbajë të njëjtin ritëm protestash pa incidente.

Një nga protestuesit më aktivë, Arben Kola, tha se lëvizja tashmë ka tejkaluar çështjen e Zvernecit dhe është kthyer në një revoltë kundër sistemit politik të ngritur pas viteve ’90.

Që nga dita e parë që ka nisur kjo protestë dhe i kam prijë, dua të them që problemet e 35 viteve nuk zgjidhen për 10 ditë. Jemi kundër dyshes që kanë marrë peng vendin, jemi kundër dyshes, Rama-Berisha”, tha ai.

Sipas Kolës, përmasat që ka marrë protesta brenda dhe jashtë Shqipërisë tregojnë se kemi të bëjmë me një lëvizje që nuk kontrollohet nga partitë politike.

A keni parë ndonjëherë tubime kaq të sinkronizuara, në të gjithë botën ku ka shqiptarë? Po të dihej se kush është, këta do e kishin kapur. Por duke qenë se është vullnet popullor nuk kanë çfarë të bëjnë. Shantazhet dhe kërcënimet më të mëdha vijnë nga njerëzit pranë opozitës”, tha ai.

Kola pretendon se protesta nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë aktuale, por kundër gjithë klasës politike që ka drejtuar vendin në 35 vitet e fundit.

Ramaviç dhe Sali Berishoviç kanë marrë peng Shqipërinë. Do të rrëzohen sepse kanë dalë 6 milionë shqiptarë. Këtu nuk jemi vetëm kundër Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, por kundër politikës së 35 viteve”, u shpreh protestuesi.

Në protestë kanë marrë pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga jashtë vendit. Një i ri i ardhur nga Gjermania tha se do të vazhdojë t’i bashkohet tubimeve derisa, sipas tij, të largohet e gjithë klasa politike e vjetër.

Protestojmë kundër të gjithë establishmentit të vjetër. Gjithë mllefi i akumuluar me dekada të tëra nisi të zbrazet në shesh. Unë kam ardhur nga Gjermania për protestën dhe do vij sërish deri sa Rama dhe kjo klasë politike të largohet. Ka pafundësisht shumë të rinj që kanë ardhur nga diaspora”, tha ai.

Ndërsa turma marshon drejt Kryeministrisë, protesta e ditës së 12-të po konfirmon gjithnjë e më shumë transformimin e një kauze lokale për mbrojtjen e Zvernecit në një lëvizje të gjerë qytetare, e cila synon të sfidojë jo vetëm qeverinë, por të gjithë modelin politik që ka dominuar Shqipërinë në tre dekadat e fundit.

protesta

Lini një Përgjigje