SPAK nis marrjen në pyetje të personave që kanë pasur lidhje me fondet e IPARD...
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka riaktivizuar hetimet për skandalin e fondeve IPARD, duke marrë në pyetje Reni Ashikun, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-ministres së Bujqësisë, Frida Krifca.
Ashiku është administrator i Converse Management Consulting (CMC) që është marrë me fondet IPARD. Hetimi lidhet me dyshimet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, pas kallëzimit të bërë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Objekti i CMC ishte konsulenca në fushën e agrobiznesit dhe realizimi vete dhe për të tretë i projekteve për zhvillim rural dhe bujqësor nëpërmjet asistencës teknike dhe trajnimeve apo sherbimeve këshillimore. Me pak fjalë përgatitja e aplikimeve për fermerët që kërkonin grante në AZHBR nga fondet e IPARD të Bashkimit Europian.
Sa kohë ishte Altin Dumani në krye të SPAK, hetimet për Krifcën u bllokuan. Por duket se SPAK ka nisur të lëvizë dhe pyetja që shtrohet është: A po trokasin prangat për ish-ministren e Bujqësisë.
Sipas burimeve, Ashiku dyshohet të ketë pasur rol kyç në skemën e dyshuar të abuzimit. Me rekomandimin e OLAF, Bashkimi Evropian ndërpreu qindra miliona euro ndihma për fermerët shqiptarë nga programi IPARD III, pas dyshimeve për shkelje në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), institucion që drejtohej nga Krifca para se të merrte postin e ministres.
Në qershor 2021, Komisioni Europian, përmes Zyrës Anti-Mashtrim (OLAF), i dërgoi një kallëzim penal SPAK-ut dhe një konstatim zyrtar kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar Frida Krifcën për abuzime masive me fondet IPARD II të destinuara për fermerët shqiptarë.
Në vend që të merrte masa, Edi Rama e shpërbleu me post ministror, emërim që shkaktoi reagim të ashpër nga Brukseli. Qeveria shqiptare premtoi verifikime dhe bashkëpunim me OLAF-in, por realisht nuk ndërmori asnjë veprim konkret.
Në vitin 2022, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, Frida Krifca jo vetëm që nuk u hetua, por u autorizua nga vetë qeveria shqiptare të firmoste marrëveshjen për fondet IPARD III me Komisionin Europian, duke marrë rolin e zyrtares kombëtare përgjegjëse për administrimin e fondeve. Kjo shkaktoi habi dhe revoltë brenda Komisionit, i cili vendosi të bllokojë fondet IPARD III për Shqipërinë që prej vitit 2023.
Pasi fondet u bllokuan, Rama largoi Krifcën nga posti i ministres, por në vend që ta përjashtonte nga administrata, e emëroi këshilltare për fondet e BE në Kryeministri, një lëvizje që u lexua si sfidë ndaj Brukselit dhe përqeshje ndaj drejtësisë.
Në vend të një hetimi real, në korrik 2025, qeveria shqiptare shpalli një tender për auditim të fondeve të zhdukura nga AZHBR, të fituar nga një kompani gjermane e përzgjedhur nga ministri Petrit Malaj, i cili sipas burimeve ka lidhje të mëparshme biznesi me drejtuesit e saj.
Komisioni Europian e ka bërë të qartë se marrëveshja IPARD III do të mbetet e pezulluar, për shkak të mungesës së transparencës dhe refuzimit për të hetuar zyrtarët përgjegjës për abuzimet. /Pamfleti
Lini një Përgjigje