
Situata në aksin Elbasan–Librazhd vijon të përkeqësohet. Pas bllokimit të rrugës kombëtare nga rrëshqitjet e dherave, një tjetër problem i rëndë është konstatuar përgjatë linjës ekzistuese hekurudhore, ku një urë rezulton e shembur pothuajse totalisht.
Ura ndodhet disa dhjetëra metra larg aksit kombëtar, në afërsi të urës së re automobilistike në hyrje të kthesave të Murrashit, rreth 12 kilometra nga segmenti i Dragostunjës, ku më herët u raportuan dëmtime në infrastrukturën hekurudhore.
Pamjet tregojnë një strukturë të dëmtuar rëndë, me çarje të dukshme në tokë dhe shenja rrëshqitjeje në disa pjesë të zonës përreth.

Shembja e urës shton shqetësimet për stabilitetin gjeologjik të gjithë segmentit, ndërsa zona po përballet njëkohësisht me pasojat e bllokimit të rrugës Elbasan–Librazhd. Qarkullimi i automjeteve është devijuar në rrugë alternative të ngushta dhe problematike, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, përfshirë edhe për mjetet e emergjencës.
Në terren vijojnë punimet për zgjerimin e rrugës si pjesë e Korridorit VIII, ndërsa dëmtimet e fundit ngrenë pikëpyetje mbi ndikimin e ndërhyrjeve infrastrukturore në stabilitetin e zonës. Deri në këto momente mungon një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për vlerësimin e riskut dhe masat konkrete që do të ndërmerren.
Banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë transparencë dhe ndërhyrje të menjëhershme, ndërsa situata në këtë segment strategjik paraqitet gjithnjë e më shqetësuese.

Lini një Përgjigje