SPAK ndjek shembullin kroat vetëm në letër...
SPAK u ngrit sipas shembullit kroat. Arrestimi i Ivo Sanaderit përmendej shpesh nga ekspertë të Euralius dhe OPDAT kur u hartuan ligjet e reformës. Po ashtu, Kroacia hyri në BE falë Prokurorisë së Posaçme, e cila dërgoi pas hekurave me qindra politikanë. Mirëpo, edhe pse korrupsioni atje sërish është problem, goditjet nuk ndalen.
Një ish-ministre kroate, e cila është dënuar më herët për korrupsion, mori sot një dënim të dytë për abuzime me fondet e BE. Sipas provave të prokurorisë, ajo kishte përdorur fondet e Brukselit për darka luksoze.
Gabrijela Zalac, e cila u shkarkua nga posti i saj si ministre e Fondeve të BE-së në Kroaci në mes të vitit 2019, u dënua me shtatë muaj burg për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, njoftoi Zyra Evropiane e Prokurorit Publik (EPPO) përmes një njoftimi.
Sipas njoftimit të EPPO-së, që ka kompetencë hetimin e keqpërdorimeve të fondeve të BE-së, Zalac shpenzoi pothuajse 10.000 euro në restorante gjatë të paktën nëntë rasteve.
Mediat lokale raportuan se ajo përdori fonde të BE-së për të mbuluar shpenzimet e festimit të ditëlindjes së saj të 40-të. Ajo u dënua me dy vjet burg për rolin e saj në keqpërdorimin e më shumë se 1.3 milion eurove dhe u pajtua të paguajë 200.000 euro si kompensim të pjesshëm.
Por duket se ky rast është shumë i ngjashëm me Shqipërinë. Në vendin tonë janë bërë rrush e kumbulla fondet e dhëna nga BE për bujqësinë. Frida Krifca ka një dosje voluminoze në SPAK dhe nuk ka asnjë lëvizje. OLAF ka zbuluar shkelje flagrante me fondet e IPARD. Madje, sot “Pamfleti” raportoi se janë bllokuar kapitujt për bujqësinë, pasi qeveria nuk kryen asnjë hetim administrativ për mënyrën se si janë shpenzuar fondet.
Pra, nëse flasim për shembull kroat, a do të ndjekë edhe SPAK shembullin e autoriteteve kroate për të çuar pas hekurave ata që abuzuan me fondet e BE? /Pamfleti
Lini një Përgjigje