
Vapa e muajve të nxehtë të verës na bën që sapo të ndezim kondicionerin, të zgjedhim menjëherë temperaturën më të ulët të mundshme. Në dimër, shkojmë drejt ekstremit tjetër: temperaturës së lartë kur jashtë duket sikur po ngrin. Por ky është gabimi që po na kushton para në faturën e energjisë elektrike.
Sipas inxhinierit elektrik Azmer Duleviç, temperatura që kondicioneri duhet lënë në ftohje është 25 gradë, kurse në ngrohje 22. Ai shpjegon se kjo nuk e sforcon kondicionerin, ndryshe nga veprimi që bëjmë ne zakonisht. Një tjetër gabim është ndezja dhe fikja në intervale të shkurtra kohore, çka në fakt bën që të shpenzojmë më shumë para
“Temperatura e rekomanduar që duhet ta lënë kondicionerin në ftohje është 25 gradë, plus, minus 1 gradë. Pra 24 ose 26. 22 është në ngrohje. Kjo është interesante në fakt sepse njësoj si bëhet në ftohje që qytetarët e vendosin në minimum sa e ka temperaturën më të ulët kondicioneri, në pjesën e dimrit e çojnë në 30 gradë Celsius direkt, në ngrohje dhe kjo është e gabuar sepse në ngrohje, temperatura që duhet vendosur duhet 22 gradë Celsius se nuk ka edhe sens logjik sepse jashtë është 5 gradë dhe ti e vë 30. Diferenca është shumë e madhe”, tha ai për “Tv Klan”.
Që të ngrohë shpejt?
Azmer Duleviç: Kjo është arsyeja. Ka edhe një arsye tjetër sepse qytetarët shqiptarë, maksimumi pjesa më e madhe një kondicioner kanë për gjithë shtëpinë, hapin ato dyert dhe me një kondicioner duan të ngrohin gjithë ambientin prandaj e çojnë temperaturën më shumë sesa duhet duke menduar se do të ngrohet edhe dhoma tjetër. Kjo nuk bën asgjë tjetër veçse e rëndon kondicionerin dhe nga ana energjetike, ai harxhon më shumë, punon në mënyrë të sforcuar. Për qytetarët, qoftë në ftohje, qoftë në ngrohje, nuk duhet të kryejnë këto veprime, ndize 20 minuta, ftohet pak dhoma, e fikin me atë idenë se do të kursejnë dhe e ndezin prapë. E përsërisin këtë veprim disa herë. Kjo është e gabuar.
Edhe ta lësh gjithë ditën…
Azmer Duleviç: Jo gjithë ditën. Nëse je 4 orë në banesë, ndize, vendose temperaturën 25 gradë në ftohje dhe 22 në ngrohje sepse këta janë “inverter”. Çfarë do të thotë? Në momentin që arrihet temperatura e vendosur, motori i jashtëm punon në minimumin e konsumit të energjisë. Nëse ti e fik dhe e ndez përsëri, fillon cikli nga e para sepse motorët elektrikë, në momentin e startimit duan më shumë energji elektrike sa të vihet në punë. Edhe qytetarët besoj e kanë vënë re, sa e ndez nuk fillon të ftohë a të ngrohë direkt, do disa sekonda ose minuta sa të normalizohet.
Inxhinieri përmend edhe një detaj të rëndësishëm. Në telekomandë duhet ndryshuar gjithnjë gjendja, pra duhet shtypur shenja e flokut të dëborës për të ftohtin dhe e diellit për të ngrohtin. Por në disa kondicionerë, kjo mund të mos funksionojë. Zgjidhja është sërish te telekomanda, e cila kur hap kapakun mund të ketë një çelës të vogël të brendshëm që duhet ndërruar gjendja dhe pajisja do të punojë normalisht.
Lini një Përgjigje