Policia dhe FNSH shtyjnë protestuesit për t'i hapur rrugë makinës së Albana Koçiut...
Protesta e zhvilluar këtë të martë para Kuvendit u përshkallëzua në tensione, pasi një grup protestuesish bllokuan hyrjet e godinës, duke vështirësuar daljen e deputetëve dhe ministrave gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Në momentin kur disa deputetë dhe anëtarë të qeverisë dolën nga Parlamenti, protestuesit i pritën me thirrje dhe hodhën vezë në drejtim të tyre.
Siç shihet edhe nga pamjet, efektivët kanë shtyrë protestuesit për t’i hapur rrugë automjetit të një prej anëtarëve të qeverisë, konkretisht zv kryeministres Albana Koçiu.


Më herët, protestuesit kanë shënjestruar me thirrje dhe vezë deputetët e ministrat që dilnin nga Kuvendi, duke i ndjekur në disa raste, mes tyre edhe deputetin Tërmet Peçi.
Për shkak të situatës, pati disa përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, të cilët u përpoqën të krijonin korridore sigurie për lëvizjen e zyrtarëve. Më pas në zonë mbërritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) për të hapur rrugën dhe për të rikthyer normalitetin.
Protestuesit, të cilët kanë nisur tubimin që në orën 10:00, paralelisht me seancën plenare, bllokuan të tre hyrjet e godinës së Kuvendit, përfshirë edhe hyrjen kryesore. Policia u përplas disa herë me turmën, duke shtyrë protestuesit në përpjekje për të liruar hyrjet.
Gjatë gjithë protestës u dëgjuan thirrje si "Poshtë diktatura!", "Parlament i krimit!" dhe "Anuloni ligjet!", ndërsa protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.
Pavarësisht temperaturave të larta, protesta vijoi për më shumë se dy orë para godinës së Kuvendit, nën masa të shtuara sigurie dhe praninë e forcave të rendit.


Lini një Përgjigje