TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Maj 2025, 15:15

Tirana, kryeqendra ajrore e rajonit; Rritje rekord e TIA-s nën drejtimin e Kastrati Group (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Tirana, kryeqendra ajrore e rajonit; Rritje rekord e TIA-s nën drejtimin e

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” po transformohet, ndërsa arkitekti italian Marco Casamonti shpjegoi me detaje projektin që ka nisur të zbatohet.

Një shesh i madh e i bukur këmbësorësh në hyrje-daljen e aeroportit, së bashku me një parkim të ri nëntokësor për mbi 1000 automjete, do të jenë në dispozicion të udhëtarëve e turistëve, në aeroportin që tashmë ka rritjen më të lartë mes aeroporteve të Europës, që pas pandemisë.

“Ky është vetëm fillimi dhe do të zgjatohet për 500 metra deri tek kulla. Do të eleminojmë të gjitha parkingjet këtu pas dhe do të shkojë edhe 500 metra më tej me këtë mbulim.

Tani do të na duhet të përfundojmë me xhamat dhe ndriçimin. Të kam dërguar dhe një video dhe gjatë natës ndriçohet e gjitha. 

Do të përdorim këtë (fasada e jashtme) për të shkruar dhe për të treguar pamje nga Tirana. Tani mungojnë vetëm xhamat e kuq dhe ky shesh do të jetë flamuri i kuq shqiptar me një gjatësi gjysmë kilometri, me granit e mermer, me një shqiponjë që lëviz”, shpjegoi arkitekti italian, ndërsa Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet.

Casamonti shpjegon se poshtë ka dy kate parking me një gjatësi thuajse 1 km dhe hyn direkt në terminal.

“Parkon brenda dhe shkon direkt në terminal. Të gjitha makinat do të shkojnë poshtë dhe këtu do jetë vetëm pedonale”, u shpreh ai.

Më pas, arkitekti dhe grupi i punës shpjeguan disa nga veçoritë që do të ketë sheshi, arkitektura e të cilit do të ndërthuret me elementë kombëtarë.

“Sheshi do të jetë vetëm kuq e zi, flamuri shqiptar më  i madh i ndërtuar me pixel. Nga brenda do të ketë dhe objekte të mëdha e të vogla, ndërsa nga jashtë do të jetë një xhevahir. Ky do të jetë një shesh i mbuluar.  Unë dua që të ndërtoj aeroportin më të bukur të Europës”, tha Casamonti.

Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë dhe u shpreh se aeroporti do të jetë ndër më të bukurit në Europë. “I paparë. Do të jetë më i bukuri në Europë, por edhe fiton goxha hapësirë terminali”, tha kryeministri.

Aeroporti ‘Nënë Tereza” është zyrtarisht aeroporti me trafikun më të madh të pasagjerëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sipas statistikave të vitit të kaluar, aeroporti “Nënë Tereza” ia kaloi edhe atij të Beogradit, që e mbante këtë vend prej dekadash.

Në Aeroportin e Tiranës ka 1500 fluturime në javë drejt 107 destinacioneve dhe pritet që të ketë fluturime në drejtim të SHBA-së.

Njëkohësisht, në renditjen e fundit TIA është aeroporti me rritjen më të lartë në Europë për numrin e pasagjerëve dhe aeroporti i pestë i Ballkanit pas atij të Stambollit, Bukureshtit dhe Athinës.

Ndërkohë, për sa i përket aeroporteve të tjera në Ballkan shihet një rritje e pasagjereve edhe ne Aeroportin e Prishtinës, i cili renditet i katërti në rajon pas atyre të Beogradit dhe Zagrebit.

Sipas shifrave zyrtare, nga Aeroporti i Prishtinës fluturuan 4,1 milionë pasagjerë gjatë vitit 2024, me një rritje prej 19,2%, e dyta më e larta në rajon pas Tiranës.

Nga aeroporti i Shkupit fluturuan mbi 3,1 milionë pasagjerë gjatë vitit të kaluar, me një rritje prej vetëm 1% krahasuar me vitin 2023.

Nga dy aeroportet e Malit të Zi, Podgoricë dhe Tivat fluturuan 2,9 milionë pasagjerë ose 15% më shumë se një vit më parë.

Lini një Përgjigje