TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2026, 12:55

U arrestuan pas përplasjes me punonjësit e ‘Breçani Security’, lihen në ‘detyrim paraqitje’ 8 banorët e Rrjollit

Shkruar nga Pamfleti

U arrestuan pas përplasjes me punonjësit e ‘Breçani

Gjykata e Shkodrës ka vendosur këtë të enjte masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 8 banorë të zonës Baks-Rrjoll, të arrestuar pas protestave kundër punimeve për resortin e Bashkim Ulajt. Përveç kësaj mase, gjykata ka vendosur që banorëve t’u ndalohet edhe afrimi pranë tokave për të cilat ata pretendojnë pronësinë.

Vendimi është kundërshtuar nga banorë të tjerë të zonës, të cilët u mblodhën para komisariatit të policisë në Shkodër. Sipas tyre, masa është e padrejtë, pasi u ndalohet të afrohen në tokat që i konsiderojnë të tyret, ndërsa ata vijojnë të kërkojnë drejtësi për pronat.

Protesta e 28 shkurtit u shoqërua me tensione, ku dhjetëra banorë të fshatit dhe mbështetës të tyre dëmtuan eskavatorët dhe kabinat e kompanisë “Gener 2”, në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj. Gjithashtu u dëmtuan edhe automjete të kompanisë private të sigurisë “Breçani Security”, e cila ishte kontraktuar për ruajtjen e kantierit.

Banorët akuzojnë se biznesmeni Bashkim Ulaj po u merr pronat për ndërtimin e një resorti turistik në zonë. Punimet për projektin “Blue Borgo”, i cili shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh, kanë nisur në fillim të muajit shkurt pasi është dhënë leja e ndërtimit.

Sipas projektit, parashikohet ndërtimi i 33 strukturave akomoduese dhe shërbimi, me ndërtesa nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë. Zhvillues i projektit është shoqëria “ABA Blue Borgo”, e cila gëzon statusin e investitorit strategjik.

Ndërkohë, për banorët që kundërshtojnë projektin dhe pretendojnë pronësinë mbi tokat, vendimi i fundit i gjykatës nënkupton se, të paktën për momentin, ata duhet të qëndrojnë larg pronave për të cilat thonë se po luftojnë.

Lini një Përgjigje