TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2026, 11:20

Përdhunuesi i strehuar në kampin e Gjadrit, gjykata në Itali bllokon deportimin; Meloni akuza gjyqtarëve

Shkruar nga Pamfleti
Përdhunuesi i strehuar në kampin e Gjadrit, gjykata në Itali
Marokeni i strehuar në Gjadër, që i shpëtoi deportimit

Kryeministrja italiane foli për një migrant të ndaluar në qendrën e riatdhesimit në Shqipëri dhe paralajmëron se reforma në drejtësi është thelbësore...

“Ku janë feministet?” Kjo është pyetja që ngre Giorgia Meloni në lidhje me vendimet e fundit të gjyqtarëve. Duke folur për radion RTL 102.5, kryeministrja italiane u ndal te dosja e migracionit dhe e përdori këtë rast për të vënë në qendër të vëmendjes, sipas saj, problemet e sistemit të drejtësisë.

Meloni publikoi edhe detaje nga historia kriminale e njërit prej këtyre migrantëve. Në këtë kuadër, Meloni tha se ai është dënuar për trafik droge, rezistencë ndaj një zyrtari publik, dhunë seksuale në bashkëpunim dhe përdhunim në grup.

Gjyqtarët nuk e konfirmojnë ndalimin sepse ai ka paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare. Një person që ka hyrë në mënyrë të paligjshme në Itali, ka filluar të merret me trafik droge, ka përdhunuar një grua në grup, ne nuk mund ta mbajmë të ndaluar, nuk mund ta dërgojmë në Shqipëri dhe nuk mund ta riatdhesojmë”, shpjegoi ajo duke iu referuar rastit të Fathalla Ouardi. Riatdhesimi është pothuajse i pamundur dhe për pak sa nuk duhet t’i japim edhe mbrojtje ndërkombëtare. Unë pyes: si mund të garantojmë sigurinë e qytetarëve në këtë mënyrë?”, tha Meloni.

Shtetasi maroken 39-vjeçar, i akuzuar për trafik droge, hyrje të paligjshme në Itali dhe vjedhje, si dhe i dënuar për dhunë seksuale në bashkëpunim dhe në grup, ishte dërguar më 17 shkurt nga Palazzo San Gervasio (Potenza) në qendrën e riatdhesimit CPR në Gjadër, Shqipëri, për t’u riatdhesuar. Megjithatë, ai u “shpëtua” nga Gjykata e Apelit e Romës pasi paraqiti kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare.

Kryeministrja e theksoi më tej këtë çështje duke përmendur edhe një rast në Firence, ku një grua u përdhunua nga dy emigrantë.

Ajo që ndodhi në Firence tregon sa të paqarta janë këto vendime dhe sa ndikojnë ato jo vetëm në punën e qeverisë, por në të drejtat e qytetarëve, para së gjithash në të drejtën për siguri. Çfarë besimi mund të ketë një grua që ka pësuar përdhunim në grup nëse përdhunuesi i saj nuk mund të dëbohet as nga vendi?”, shtoi Meloni.

Ajo artikuloi një kritikë ndaj lëvizjeve feministe që, sipas saj, nuk kanë reaguar: “Pyes gjithashtu se ku janë feministet e ‘Non una di meno’ për këto ngjarje”.

Meloni theksoi se qeveria nuk ka ndërmend të qëndrojë pasive. Ajo tha se projekti për qendrat e migrantëve në Shqipëri “po vazhdon”, megjithëse, sipas saj, ekziston mundësia që disa gjyqtarë të gjejnë arsye të tjera për ta penguar atë.

“Unë jam e vendosur të bëj atë që qytetarët na kanë kërkuar të bëjmë, pra një politikë të rreptë ndaj migracionit të parregullt, edhe me instrumente të reja si qendrat në Shqipëri, pavarësisht se ka nga ata që përpiqen ta pengojnë këtë. Për këtë jam e vendosur dhe jam e gatshme të punoj trefish, katërfish, dhjetëfish nëse është e nevojshme”, deklaroi ajo.

Kryeministrja foli edhe për referendumin për drejtësinë. Meloni theksoi se “reformimi i drejtësisë është thelbësor” për “ta bërë këtë vend modern”.

“Paradoksi është se deri tani nuk është arritur kurrë dhe mendoj se, nëse nuk arrijmë ta bëjmë këtë herë, nuk do të kemi një mundësi tjetër”, përfundoi ajo.

meloni gjykata gjadri perdhunues

Lini një Përgjigje