Rruga Maliq–Lozhan–Strelcë, e cila për më shumë se 10 ditë u përdor si aks alternativ nga drejtuesit e mjeteve për të kaluar drejt Gramshit pas bllokimit të rrugës Librazhd–Prrenjas, ka pësuar dëmtime të reja.
Sipas raportimeve nga zona, qarkullimi i vazhdueshëm i automjeteve dhe rritja e ndjeshme e fluksit gjatë këtyre ditëve kanë përkeqësuar gjendjen e rrugës.
Në disa segmente janë konstatuar rrëshqitje dherash, dëmtime të barrierave mbrojtëse, si dhe çarje të thella në asfalt dhe deformime të trupit të rrugës.
Edhe pse pas rihapjes së aksit kryesor qarkullimi i mjeteve është ulur ndjeshëm, dëmtimet e krijuara në këtë rrugë mbeten problem serioz. Deri tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje për riparimin e tyre, ndërsa specialistët theksojnë se aksi ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm.
Aksi Maliq–Lozhan–Strelcë është ndërtuar nga kompania Gjikuria, ndërsa investimi për realizimin e tij ka qenë rreth 1.4 miliardë lekë. Problemet e përsëritura në këtë rrugë kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve.
Lini një Përgjigje