TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 5 Mars 2026, 12:05

Përmet/ Leonidha Komino, 'i përkëdheluri' i Kumbaros, rrëmbeu 3 prona publike nga bashkia për 99 vjet; tani mësyn edhe tokat e Bënjës

Shkruar nga Pamfleti
Përmet/ Leonidha Komino, 'i përkëdheluri' i Kumbaros,
Leonidha Komino, Mirela Kumbaro/

Biznesmeni i Përmetit siguroi 3 kontrata me bashkinë brenda një viti, dy prej tyre 99 dhe 35 vjet, administron prej 16 vitesh fabrikën e këpucëve REKOR-ALBANIA në Gjirokastër ku shteti është ortak 15% të aksioneve dhe në bord ulëtaren e familjes, ndërkohë që tani po u merr tokën banorëve të Bënjës për parking me xhiro 4 milionë lekë të vjetra në ditë...

Disa denoncime kanë ardhur në redaksinë e Pamfletit për një biznesmen në Përmet. Emri që përmendet është Leonidha Komino. Banorë të zonës së Bënjës tregojnë se ai po u kërkon t'ua marrë tokat me qira, duke iu thënë se do t'i kthejë në parking. Çmimet që ofron, thonë ata, janë qesharake. Argumenti që përdor me ta është i thjeshtë: "Ma jepni mua se vetëm unë e kam lejen për parking, ju s'mund ta bëni dot".

Pyetja që mbetet pezull është: pse vetëm ai mund ta ketë lejen për shfrytëzim parkimi. Sidomos kur bëhet fjalë për një fluks të madh makinash që vizitojnë Bënjën. Burime nga zona tregojnë se xhiroja ditore e parkingjeve atje shkon rreth 3-4 milionë lekë të vjetra në ditë, gjatë sezonit. Ky është presioni që "i përkëdheluri" i Mirela Kumbaros po u bën pronarëve të tokave në Bënjë: u thotë se nuk mund të sigurojnë leje, se ai e ka ekskluzivitetin, dhe se më mirë ia japin tokën 'beut të Përmetit', sesa ta mbajnë pa e shfrytëzuar, ndërsa paratë e mëdha do t'i mbledhë ai.

Përmet/ Leonidha Komino, 'i përkëdheluri' i Kumbaros,

Kush është Leonidha Komino

Para se të kërkonte tokat e banorëve, Leonidha Komino kishte marrë tashmë ato të bashkisë. Brenda një viti, në 2018 dhe 2019, ai firmosi tre kontrata qiraje me Bashkinë Përmet. Më 3 gusht 2018 mori tokë publike me qira për 99 vjet. Po atë ditë mori edhe një tjetër, për 35 vjet. Një vit më vonë, më 16 korrik 2019, kompania e tij AOS INVESTMENTS 8 siguroi një kontratë tjetër, 20 vjet, për hoteleri dhe turizëm.

Përmet/ Leonidha Komino, 'i përkëdheluri' i Kumbaros,
Pronat publike të përfituara nga Leonidha Komino

Tre kontrata me të njëjtin institucion publik brenda 12 muajsh. Afate që njihen rrallë në praktikat administrative shqiptare.

AOS INVESTMENTS 8 shpk u ngrit tre muaj para kontratës së fundit, në prill 2019. Kapitali i saj është 100 mijë lekë. Objekti i saj përfshin ndërtime, hotele, agroturizëm, energji diellore, pemishte dhe vreshta. Ortak i tij është Besnik Hamja. Administrator është Zihni Mançellari, i cili mban edhe licencën e ndërtimit të firmës.

Por tokat e bashkisë janë vetëm një pjesë e pasurisë që Komino administron. Ai është prej 16 vjetësh administrator i REKOR-ALBANIA, fabrikës së këpucëve në Gjirokastër. Kjo kompani ka një kapital prej 14.5 milionë eurosh. Aksionerë të saj janë grekët Joannis Makris me 62.44%, NYFAN SA me 22.36% dhe shteti shqiptar me 15.2%. Në bordin mbikëqyrës të kompanisë ulet Nertila Komino, lidhje familjare.

Pikërisht këtu nis një konflikt interesi i hapur. Leonidha Komino administron REKOR-ALBANIA, ku NYFAN SA është aksionere me 22.36%. Në të njëjtën kohë, ai zotëron NYFAN-ALBANIA, e cila është distributorja ekskluzive e produkteve NYFAN në Shqipëri. Pra, ai blen nga aksioneri i kompanisë që administron dhe shet produktet e tyre në tregun shqiptar. NYFAN-ALBANIA është një biznes 19-vjeçar që tregton tenda dielli dhe rrjetëza mbrojtëse dhe figuron në portalin Spending Data Albania si përfituese e fondeve publike.

Tani, i njëjti person synon të marrë në dorë edhe zonën e Bënjës. Në dhjetor 2024, Fondi Shqiptar i Zhvillimit lajmëroi një tender të ri për zonën e mbrojtur "Ujërat Termale Bënjë". Vlera e tij është 2 milionë euro. Objekti përfshin ndërtimin e bareve, restoranteve dhe strukturave mbi lumin Langarica, brenda një zone që ligji e mbron. Në dokumente thuhet se do të ndërtohet një restorant mbi lumë, në një platformë që del mbi ujë.

Ky investim publik pritet t'i hapë rrugë privatizimit të fshehtë të zonës. Paratë e taksapaguesve do të ndërtojnë infrastrukturën dhe më pas, ashtu siç po ndodh me tokat e banorëve, një privat me lidhje do të marrë në dorë shfrytëzimin. Banorët e Përmetit e kanë të qartë se kush është ai privat: Leonidha Komino, njeriu që po u merr tashmë tokat duke u thënë se "vetëm unë e kam parkingun".

Ajo që e bën Leonidha Kominon të paprekshëm është lidhja e tij me Mirela Kumbaron, ish ministren e Turizmit dhe Mjedisit. Në Përmet, ai njihet hapur si "i përkëdheluri" i saj. Pikërisht kjo lidhje shpjegon pse ai ndihet i lirë t'u marrë tokën banorëve, pse siguron kontrata 99-vjeçare me bashkinë dhe pse pritet të marrë në dorë edhe Bënjën.

Banorët e Bënjës që po i kërkon t'ua marrë tokat nuk kanë ku t'i drejtohen. Atyre u thotë se nuk mund të marrin leje, se ai e ka ekskluzivitetin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me zonën e mbrojtur: banorët do të mbeten jashtë, ndërsa paratë publike do të shërbejnë për t'i ndërtuar biznesin një njeriu të vetëm. /Pamfleti

Në vijim:

Kontratat 99-vjeçare që Leonidha Komino mori nga Bashkia Përmet dhe si i siguroi ato pa procedura konkurruese

Konfliktin e interesit midis REKOR-ALBANIA, ku ai është administrator prej 16 vitesh, dhe NYFAN-ALBANIA, kompanisë së tij personale që përfiton nga aksionerët grekë

2 milionë eurot e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e bareve dhe restoranteve në zonën e mbrojtur të Bënjës, që pritet t'i hapin rrugë privatizimit

Lidhja e tij me Mirela Kumbaron, që e mbron dhe i siguron favorizimet

leonidha komino përmet bënja fshzh mirela kumbaro

1 Komente

  1. N
    Nje qytetare e kam 15 vjet e e frekuentoj banjat e

    Shum keq ky trajyim i bsnoreve nga ky person.ku esht shteti ku pse nuk ben dicka per ket popull

    Lini një Përgjigje