TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet29 Janar 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të Pamfleti ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditë, ku mes të tjerave veçojmë:

1.Nuk ka shpëtim për të korruptuarit

Kushtetuesja rrëzon Ilir Beqajn dhe alarmon pushtetarët e tjerë

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar ankimimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili kërkoi lirimin nga masa e sigurisë “arrest me burg” dhe shpalljen si antikushtetues të vendimit që e izoloi. Kushtetuesja ka vendosur të mos pranojë pretendimet e Beqajt, duke e lënë në fuqi masën e arrestit.

Beqaj kishte kërkuar gjithashtu që çështja të rigjykohej nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij kushtetuese gjatë procesit. Por kërkesa është rrëzuar pa mëshirë nga instanca më e lartë ligjore në vend.

Por ky vendim sot, është një kambanë larmi për gjithë të korruptuarit e tjerë që janë nën akuzë përfshirë Ilir Metën, Sali Berishën, etj. Padyshim proceset janë individuale, por me rastin sot Kushtetuesja dëshmon se me gjasë kështu do të veprohet dhe për figurat e tjera.

Ndërkohë, SPAK ka përfunduar hetimet për dosjen “SASPAC” dhe e ka çuar çështjen për gjykim. Bashkë me Ilir Beqajn, në bankën e të pandehurve do të ulen edhe 5 persona të tjerë, ndër ta emra të njohur si Ermal Kurtulaj, Bledar Leka, Gazmend Haxhia dhe Mira Topçiu.

2.Seanca paraprake për dosjen ‘Meta’

Monika Kryemadhi paraqitet në GJKKO

Mbahet sot në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen në ngarkim të Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe personave të tjerë.

Në gjykatë janë paraqitur ish-deputetja Kryemadhi si edhe avokati i kreut të PL, Kujtim Cakrani.
Kryemadhi përshëndet gazetarët, të cilët i kërkojnë t’i bëjnë pyetje por në një moment ajo dëgjohet duke thënë se “tani do të hyjmë ne”.

Kujtojmë se, SPAK mbylli hetimet më 28 korrik ndërsa kaloi dosjen për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje, aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, të kryer në bashkëpunim, ndërsa nëna e ish deputetes, Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Meta ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa ndaj Monika Kryemadhit është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Meta ka kërkuar disa herë ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga qelia por është rrëzuar nga të tre shkallët e gjyqësorit. Një ditë më parë, ai bëri sërish ankimim në Apelin e GJKKO kundër vendimit të dhënë nga Shkalla e parë. Po ashtu, Meta i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për lirimin nga qelia.

3."Kolapsi digjital po zhyt bizneset në krizë"

Tabaku: Nuk po marrin as shërbimin minimal

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar kolapsin e shërbimeve digjitale të qeverisë shqiptare, duke theksuar se situata është veçanërisht dramatike për biznesin dhe profesionistët e lirë.

Sipas Tabakut, sot i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania.

“Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër”, tha ajo.

Deputetja rikujtoi betejën e fituar në Gjykatën Kushtetuese për profesionet e lira, ku mbi 20 mijë profesionistë u dëgjuan dhe fituan të drejtën e tyre.

Por, sipas saj, për një pjesë të tyre, që nuk gjetën zgjidhje të plotë nga vendimi i Gjykatës, sot problemi është përkeqësuar për shkak të një sistemi të pezulluar dhe jofunksional.

Tabaku shpjegon se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care.

4."SPAK i ka sekuestruar kompjuterët në zyrë"

Maliqi: Kush po e shpëton oligarkun Salillari nga hetimi

Ish-deputeti Lefter Maliqi në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK, deklaroi se ka bërë kallëzim për afera korruptive, duke shtuar se hetimet janë zvarritur.

Maliqi bëri thirrje që hetimet të shkojnë deri të fund dhe të bëhet drejtësi për vjedhjet që u kanë bërë qytetarëve.

Ai tha gjithashtu se oligarku Pëllumb Salillari ende nuk po hetohet edhe pse është kallëzuar në Prokurori. Maliqi shton se SPAK ka zbarkuar tek zyrat e tij dhe ka sekuestruar kompjuterët, por ende nuk është marrë nën hetim.

“I jam drejtuar kryeprokurorit të ri dhe besoj se do të veprojë dhe do të përgjigjet për kallëzimet që kam bërë. Për katër çështje më kanë kthyer përgjigje se nuk i kanë dërguar në SPAK. Kam bërë 11 kallëzime për një krim të rëndë elektoral…Oligarku Salillari bandit, si ka mundësi dhe kur do e vendosin drejtësinë për akuzat që kam bërë, një kallim është këtu dhe një kallëzim është çuar në Prokurorinë e Berati, dy km asfalt mbi asfalt, një rrugë tjetër në Gore, gjysma e rrugës është bërë nga komuna. Krimi elektoral, tender i qenve, çakull elektoral e pastrim parash, vëllai i Anxhelo Kristos ka ndërruar emrin dhe jep garanci me apartamente që i ka në pronësi vëllai i atij Hajdarit…Çfarë ndodh në këtë vend. SPAK zbarkoi tek zyrat e Salillarit mori kompjuterë, por ende asgjë. Gjykata Administrative më kthen përgjigje për mos kompetencë… Salillari ende nuk hetohet se leku e hedh ujin përpjetë…Akoma asnjë hetim…Besoj që Braho Hajdari i Salillarit të fshehur për shkak të bastisje që ka bërë BKH…”, tha ai.

5.Raporti europian publikon skandalin

Fluks masiv fondesh po dalin nga Shqipëria!

Një raport europian, i dorëzuar në autoritetet e BE-së dhe në vendet anëtare, ka analizuar një fenomen që është cilësuar “i pazakontë” në Shqipëri.

Burime të rëndësishme që kanë pasur qasje në këtë raport bëjnë me dije se ai flet për një emigrim të vlerave të mëdha monetare nga Shqipëria drejt tre vendeve kryesore: Britanisë së Madhe, Spanjës dhe Luksemburgut. Sipas dokumentit, “City of London” ka akumuluar sasinë më të madhe të këtyre kapitaleve, të cilat vijnë nga subjekte të rëndësishme tregtare dhe ekonomike shqiptare.

Raporti thekson gjithashtu se titujt e transferuar nuk janë vërejtur vetëm në vendet europiane, por edhe në SHBA dhe në tregjet financiare aziatike.

Ndryshe nga likuiditeti masiv i depozituar në bankat dhe tregjet europiane, këto fonde janë transferuar si asete investimi. Dokumenti nënvizon se në tregjet malajziane, ato të Singaporit dhe sidomos në brigjet indoneziane, konkretisht në Bali, janë sinjalizuar sasi të konsiderueshme asetesh që vijnë nga Shqipëria. Transferime të ngjashme janë evidentuar edhe në Lindjen e Mesme, kryesisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite.

Përveç skemave të investimeve, raporti europian evidenton edhe rrjedhje përmes kanaleve paralele, duke përdorur agjenci mikrofinanciare offshore, kryesisht në Luksemburg, në ishujt balnearë të Spanjës dhe në Gjibraltar.

Për më shumë, klikoni në lajmet e orës 12.00

Lini një Përgjigje