Lexues të “Pamfleti”, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
'Gërdeci'/ GJKKO rrëzon sërish Fatmir Mediun/ Nuk përjashtohet Irena Gjoka
Gjyqtarja Atalanta Zeqiraj ka rrëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i dosjes “Gërdeci”, ku ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Pas shqyrtimit të kërkesës, gjykata vendosi se ajo ishte paraqitur në kundërshtim me afatet procedurale, duke e konsideruar për këtë arsye të papranueshme. Sipas vendimit, mosrespektimi i afatit ka sjellë automatikisht rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga avokatët mbrojtës.
Gjatë seancës, përballë gjyqtares dhe prokurorit të SPAK Arben Kraja, avokati Henrik Ligori kundërshtoi disa nga argumentet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.
"Ministria e Mbrojtjes është një strukturë me dy krerë: një pjesë politike dhe pjesa tjetër Shtabi i Përgjithshëm. Personat që kanë pasur përgjegjësi për Gërdecin kanë marrë përgjegjësitë e tyre. Sa i takon akuzës për municionet, nuk ka asnjë akt ligjor që i ndan në kalibër të madh dhe kalibër të vogël. Ministri i Mbrojtjes përgjigjet për politikat e ministrisë. Nuk mund të akuzohet se nuk i njeh kalibrat, pasi me këtë punë merret Shtabi i Përgjithshëm. Si mund t’i ngarkohet një ministri politik përgjegjësi teknike? Sa i takon akuzës për transportin, nuk është detyra e ministrit, sepse ka struktura që merren me faturat. Duket se akuza e ngritur nga prokuroria është e pambështetur.", tha Ligori.
Porti i madh në Porto-Romano/ Kush është “Plani C” i Edi Ramës?
Edi Rama ka paralajmëruar në mbledhjen e grupit të PS-së se, nëse do të bllokohet projekti i portit të madh në Porto Romano, ai ka jo vetëm një plan B, por edhe një plan C, për të dalë nga situata.
Deklarata është bërë pas dy zhvillimeve të bujshme: mësymjes së oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kanë sekuestruar dokumentacionin e tenderit, si dhe një proteste verbale të kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleve, i cili i kërkoi kryeministrit anulimin e tenderit.
Por çfarë ka ndodhur këtu dhe çfarë fshihet në prapaskenë?
Porti i madh i Porto Romanos, fillimisht i alokuar me një projekt që shkon deri në 400 milionë euro, me mundësi rritjeje në të ardhmen, ka një potencial shumë të madh interesash ekonomike dhe financiare.
Ndaj ekziston një interes i dukshëm, edhe për arsyen se përveç mjeteve tregtare, pra kontenierëve të mallrave civile, pritet që të atashohen edhe mjete ushtarake të NATO-s. Siç ndodh me portin e Napolit dhe atë të Gioia Tauro-s në Kalabri, çka u jep këtyre siteve një fuqi të madhe përpunimi dhe fitimi.
"Punësimi nuk bazohet në meritë"/ Raporti i BB: Shqipëria pa standarde të unifikuara
Banka Botërore e ka renditur Shqipërinë në mesin e vendeve që nuk aplikon standarde të unifikuara për rekrutimin e talenteve në sektorin publik.
Në Raportin e zhvillimit global 2025 të publikuar së fundmi evidentohet se Shqipëria përballet me një shpërndarje të pabarabartë të praktikave të punësimit, ku fati i një kandidati për t’u bërë pjesë e shërbimit publik varet më shumë nga institucioni ku aplikon sesa nga një rregullator kombëtar i unifikuar.
Në nivel kombëtar, mesatarja e nëpunësve shqiptarë të rekrutuar përmes meritokracisë së dokumentuar me shkrim qëndron diku rreth 50%. Ndërkohë që në disa institucione shqiptare procesi i rekrutimit me shkrim është pothuajse i papërfillshëm (rreth 20%), në organizata të tjera brenda të njëjtit shtet kjo praktikë arrin deri në mbi 70%.
Kjo diferencë, sipas Bankës Botërore tregon se procesi i punësimit në administratën publike shqiptare varet më shumë nga politikat e brendshme të institucioneve sesa nga një standard i konsoliduar kombëtar.
Lufta në Iran/ Çudit Serbia, fut Shqipërinë në listën e vendeve të pasigurta
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që duhen vizituar me masa paraprake shtesë, në kuadër të rekomandimeve të reja për udhëtimet jashtë vendit të publikuara pas shpërthimit të luftës në Iran.
Në të njëjtën listë, Kroacia është klasifikuar në një kategori edhe më të lartë rreziku, ku udhëtimi rekomandohet vetëm “në raste nevoje ekstreme”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë reagoi duke deklaruar se Kroacia është një nga vendet më të sigurta në Evropë, ndërsa autoritetet shqiptare nuk kanë komentuar deri tani për përfshirjen e Shqipërisë në këtë listë.
Për më shumë, klikoni linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje