TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet31 Mars 2026, 11:51

Update/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

Update/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Nën hetim për shpërdorim detyre/ Pezullohet nga detyra kreu i IMT në Tiranë

Rigers Sheqeri, kreu i IMT në Tiranë është pezulluar nga detyra me një vendim të Gjykatës, pas kërkesës së Prokurorisë së kryeqytetit.

Sipas raportimeve, vendimi i marrë disa ditë më parë, vjen pas një kërkese të prokurorit Julian Xhengo që po heton zyrtarin e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Rigers Sheqeri, për shpërdorim detyre.
Më konkretisht, sipas raportimeve, Prokuroria po heton një skemë të dyshuar që përfshin leje dhe ndërtime në kryeqytet, që dyshohet se janë lejuar nga kreu i IMT.

Gjithashtu në hetime është përfshirë edhe një ndërtues, për të cilin është vendosur masa e sigurisë ndalim të daljes jashtë vendit.

Me të njëjtin vendim, janë shpallur në kërkim edhe dy inspektorë të IMT-së. Hetimet përfshijnë dyshime për një strukturë brenda institucionit që mund të ketë toleruar ose favorizuar ndërtime të paligjshme.

Nga lufta ndaj krimit te siguria në shkolla/ Hita: Largojmë të korruptuarit nga Policia e Shtetit

Skënder Hita ka marrë sot zyrtarisht detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në një ceremoni të posaçme, me prezencën e zv.Kryeministres Albana Koçiu dhe ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, Hita është betuar përpara marrjes së detyrës.

Në fjalën e tij, Hita tha se pas një rrugëtimi 25-vjeçar në Policinë e Shtetit, prioritet i punës së tij si drejtor i përgjithshëm është përmirësimi i mëtejshëm i imazhit të kësaj organizate. Luftë krimit dhe korrupsionit edhe në rradhët tona, u shpreh Hita, teksa shprehu mirënjohjen për besimin që iu dha që të përzgjidhej si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ai tha se Policia e Shtetit është institucioni ku qytetarët gjejnë besimin, ndërsa premtoi një rritje të mbështetjes për çdo punonjës të kësaj organizate.

Hita u shpreh se do të luftojë krimin pa kompromis, ndërsa shtoi se një nga prioritetet e punës së tij do të jetë rritja e sigurisë në shkolla.

Hita e cilësoi këtë një ditë të rëndësishme në karrierën e tij, duke theksuar se ka nderin të marrë detyrën më të lartë në këtë institucion.

SPAK dhe BKH mësyjnë në një resort luksoz në Jug/ Kontrolle te vilat e Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit!

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ushtruar kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit.

Sipas burimeve paraprake, kontrollet janë përqendruar në disa prona që lidhen me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin. Më konkretisht, bëhet me dije se janë kontrolluar dy vila të Agasit dhe një vilë e Beqirit në jug të vendit.

Prokurorët e SPAK dhe agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle fizike në ambientet e vilave brenda kompleksit dhe kanë sekuestruar disa materiale dhe pajisje. Kontrollet mësohet se kanë të bëjnë me skandalin e AKSHI-it.

Vlen të theksohet se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë dhe pjesëmarrjes në grup kriminal. Sipas hetimeve të SPAK, ata dyshohen se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe dhe e kanë detyruar të tërhiqte ankesat e tij lidhur me tenderat e AKSHI-t.

U reklamua me bujë/ Ndërkombëtarët bllokojnë “paqen fiskale” të Ramës!

Edhe pse u miratua me bujë si një nga nismat kryesore fiskale të qeverisë, zbatimi i “paqes fiskale” është bllokuar nga partnerët ndërkombëtarë.

Ministri i Financave Petrit Malaj konfirmoi sot se aktet nënligjore dhe udhëzimet përkatëse janë përfunduar, por nuk janë zbatuar, pasi janë dërguar për konsultim tek partnerët ndërkombëtarë.

Ai shtoi se qeveria pret komente dhe sugjerime përpara se të nisë zbatimin.

Qëndrimi i Malajt konfirmon se zbatimi i ligjit nuk varet më vetëm nga institucionet shqiptare, por nga miratimi i partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht Bashkimi Europian.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka shprehur më herët kundërshtime të drejtpërdrejta ndaj kësaj nisme. Në një qëndrim zyrtar, Komisioni Europian thekson shqetësime për efektet që amnistia fiskale mund të ketë në disiplinën tatimore dhe në luftën kundër pastrimit të parave.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00: 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje