TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet16 Qershor 2026, 11:53

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Marshimi drejt Rinasit/ Policia procedon 19 persona për bllokimin e aksit Tiranë-Durrës

Policia e Tiranës ka ndërmarrë veprime penale ndaj 19 personave që dyshohet se organizuan dhe drejtuan marshimin e protestuesve drejt Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, aksion që çoi në bllokimin për disa orë të autostradës Tiranë-Durrës dhe krijimin e trafikut të rënduar në një nga akset kryesore të vendit.

Në një njoftim zyrtar, uniformat blu bëjnë me dije se pas hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda është vendosur procedimi penal në gjendje të lirë për 19 shtetas, të cilët konsiderohen organizatorë ose përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të aeroportit të Rinasit.

Sipas policisë, personat e proceduar akuzohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” si dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Autoritetet njoftojnë gjithashtu se gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar dy automjete, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Në njoftim thuhet se organizatorët kishin njoftuar zhvillimin e një tubimi në sheshin “Skënderbej” dhe më pas para Kryeministrisë, nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Megjithatë, sipas policisë, gjatë zhvillimit të protestës janë bërë thirrje për vijimin e marshimit në drejtim të Aeroportit “Nënë Tereza”, duke dalë jashtë itinerarit të njoftuar më parë.

Neomalësorja ‘i la targën”/ Edi Rama përfshihet nga paranojat

Shpallja nga deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, se do të kalonte si e pavarur, mësohet se e ka destabilizuar Edi Ramën.

Në nerva e sipër, ai ka thirrur një mbledhje të Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, njoftim që ua ka shpërndarë edhe mediave, me shpresën për të marrë një reagim nga e ashtuquajtura “neomalësore”, si pasojë e konfliktit të lindur pas çështjes së bujtinës në luginën e Liqenit të Komanit.

Por deputetja, sipas burimeve, nuk e ka prishur fare terezinë dhe nuk ka komunikuar me askënd.
Rama ka dërguar shumë emisare për të tentuar një negociatë të qetë, por duket se nuk ia ka dalë, pasi ka marrë të njëjtën përgjigje: qëndrimi është dhënë dhe nuk ndryshon.

Nga frika se mund të krijohet një efekt domino, për momentin ai ka pezulluar mbledhjet e Kryesisë dhe të Grupit Parlamentar, duke lënë pezull edhe qëndrimin zyrtar të mazhorancës pas rreshtimit të hapur të deputetes së Shkodrës në krah të protestës.
Në këtë situatë të tensionuar, siç ndodh rëndom, kuzhina propagandistike ka nisur të prodhojë teori konspirative me armiq, agjentë dhe poliagjentë, për të mbajtur ngrohtë militantët e trullosur.

Sot seanca e parë në themel për Veliajn/ Kryebashkiaku refuzon qëndrimin në kafaz

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) pritet të zhvillohet sot seanca e parë e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe të pandehurve të tjerë në të njëjtën dosje që kanë zgjedhur të gjykohen me procedurë të zakonshme.

Seanca e fundit, e mbajtur më 10 qershor, u shty për shkak të mungesës së disa avokatëve mbrojtës. Në atë seancë mungoi edhe Veliaj, i cili e justifikoi mosparaqitjen me vendosjen e tij në kafazin e xhamit. Kryebashkiaku e ka cilësuar këtë masë si të paligjshme, antikushtetuese dhe diskriminuese.

Gjatë seancës së fundit, trupi gjykues i kërkoi prokurorit të çështjes, Ols Dado, që t’i vërë në dispozicion Veliajt, në ambientet e paraburgimit, mijëra faqe të tjera dokumentesh. Kryebashkiaku ka pretenduar vazhdimisht se nuk i janë dorëzuar të gjitha aktet hetimore të dosjes.
Një tjetër kërkesë e Veliajt, e cila vijon të mos pranohet nga gjykata, është transmetimi live i seancave gjyqësore. Për mediat, avokati i tij, Plarent Ndreca, deklaroi se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë për shpalljen të pavlefshme të nenit 14 të një udhëzimi të këtij institucioni. Sipas tij, ky nen po përdoret nga gjykatat për të kufizuar transparencën dhe për të mos lejuar transmetimin e seancave.

Mesazhi i fortë i SHBA për Ramën/ Investitorët duan rregulla të qarta dhe garanci, jo klientelizëm

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një mesazh të fortë për klimën e investimeve në Shqipëri. Gjatë prezantimit të Dhomës Amerikane të Tregtisë mbi Investimet e Huaja Direkte, e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, nënvizoi se investitorët e huaj kanë nevojë për më shumë siguri, rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme për të investuar në vend.
Në fjalën e saj, VanHorn theksoi se Shqipëria duhet të garantojë jo vetëm hapjen ndaj investimeve, por edhe mbrojtjen e interesave kombëtare dhe standardeve ndërkombëtare.

“Kuadri i shqyrtimit të Investimeve të Huaja Direkte të Shqipërisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik, është një deklaratë strategjike. Tregon se Shqipëria është e hapur për biznes, por në një mënyrë që mbron interesat kombëtare të Shqipërisë dhe plotëson standardet ndërkombëtare. Dhe investitorët po i kushtojnë vëmendje, përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu, në energji, ndërtim dhe teknologji, dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë”, deklaroi ajo.
Por diplomatja amerikane la të kuptohet se ardhja e investimeve të reja nuk është automatike. Sipas saj, bizneset kërkojnë garanci konkrete për mënyrën se si funksionon tregu dhe institucionet.
“Investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne. Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim”, u shpreh VanHorn.

Në një tjetër mesazh domethënës, përfaqësuesja e SHBA-së paralajmëroi se ligjet nuk mjaftojnë nëse ato nuk zbatohen në praktikë.

Për më shumë, klikoni linkun e lajmeve të orës 12.00 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje