TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Maj 2025, 20:04

Urdhër-kontrollet e GJKKO për anëtarët e shtabeve të PSD-së; sekuestrohen para, tollona nafte dhe karta identiteti

Shkruar nga Pamfleti

Urdhër-kontrollet e GJKKO për anëtarët e shtabeve të

Gjatë operacionit u sekuestruan shtatë celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti.

Prokuroria e Posaçme SPAK zbarkoi ditën e sotme në qytetin e Shkodrës ku në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një operacion që synonte parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e zgjedhjeve.

Gjashtë urdhër-kontrolle ishin lëshuar sot nga GJKKO ndaj anëtarëve të shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD), të drejtuar nga Tom Doshi.

Gjatë operacionit u sekuestruan shtatë celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash në euro dhe lekë, si dhe tollona karburanti. Gjithashtu, u gjetën dhe sekuestruan lista me emra qytetarësh, që dyshohet se lidhen me veprimtari të paligjshme në kuadër të procesit zgjedhor.

Mësohet se kontrollet u kryen në nëntë automjete, përfshirë një automjet të OSHEE-së në përdorim nga një prej të kontrolluarve, si dhe mjete të tjera private.

Njoftimi i plotë:

Punë intensive në bashkëpunim me SPAK, për parandalimin dhe goditjen e krimeve në fushën e  zgjedhjeve. U zhvillua në qarkun Shkodër, faza e parë e operacionit policor të koduar "Premtimi".

Në bashkëpunim me BKH, u zbatuan vendimet për kontrollin personal dhe të automjeteve  ndaj 6 shtetasve.   Sekuestrohen celularë, para dhe lista me emra qytetarësh që u gjetën këtyre shtetasve.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në vijim të punës intensive të bërë në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, zhvilluan sot, në qarkun Shkodër, fazën e parë të operacionit policor kundër krimeve zgjedhire, të koduar “Premtimi“.

Në kuadër të kësaj faze u bë ekzekutimi i vendimit të datës 07.05.2025, të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kontrollin fizik ndaj 6 shtetasve dhe 9 automjeteve të tyre, konkretisht ndaj shtetasve F. V., B. L., D. D., S. Z., B. H. dhe Z. D., banues në Shkodër, Bushat dhe Vau i Dejës;

-automjetit në pronësi të shtetasit F. V.;

-automjetit në pronësi të shtetasit B. P.;

-automjetit në pronësi të shtetasit D. D.;

-automjetit në pronësi të OSHEE-së, në përdorim nga shtetasi S. Z.;

-2 automjeteve në pronësi të shtetasit B. H.; 

-3 automjeteve në pronësi të shtetasit Z. D.  

Nga kontrollet e kryera në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 7 celularë, dokumente të ndryshme, një shumë parash (euro dhe lekë) dhe tollona  karburanti. Hetimet në kuadër të këtij operacioni vijojnë.

Lini një Përgjigje