
Gjatë operacionit janë sekuestruar disa celularë si dhe është kryer kontroll i automjeteve të personave të përfshirë.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lëshuar gjashtë urdhër-kontrolle në qytetin e Shkodrës ndaj anëtarëve të shtabeve elektorale të Partisë Socialdemokrate (PSD), e drejtuar nga Tom Doshi.
Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë operacionit janë sekuestruar disa celularë si dhe është kryer kontroll i automjeteve të personave të përfshirë.
Bëhet me dije se një prej të personave ka refuzuar bashkëpunimin me autoritetet dhe si pasojë është shoqëruar nga policia për të vijuar procedurat e mëtejshme.
Hetimet vijnë në kuadër të dyshimeve për veprimtari të paligjshme të lidhura me procesin zgjedhor, vetëm pak ditë përpara votimeve të 11 majit. Deri tani nuk ka një qëndrim zyrtar nga PSD apo përfaqësues të saj në lidhje me këtë zhvillim.
Kreu i SPAK, Altin Dumani i cili ishte sot në terren, ka vënë theksin tek zbulimi i krimeve zgjedhore. Ai deklaroi se SPAK ka procedime konkrete dhe se është lidhur me krimet zgjedhore dhe se pritshmëritë janë të mëdha.
Po ashtu Dumani ka kërkuar që në rastet kur ka akuza apo deklarata publike për shitblerje vote personat që bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori dhe të mos neglizhohen si raste.
Më tej ai kërkoi që policia dhe prokuroria të jenë sa më vigjilente lidhur me krimet zgjedhore në këto ditë të fundit të fushatës elektorale.
Për çështjen ndërkohë ende nuk ka një komunikim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme, por pritet që në orët në vazhdim të kemi një deklaratë zyrtare./Pamfleti
Lini një Përgjigje